Shitën ilaçet e spitalit të Tepelenës në farmaci private, nën hetim shefja e shërbimit spitalor, kryeinfermierja dhe farmacistja

Shefja e shërbimit spitalor të spitalit të Tepelenës, kryeinfermierja dhe farmacistja janë vënë nën hetim, pasi shitën ilaçet e spitalit në farmacinë private të një 42-vjeçareje, për të përvetësuar pagesat.

Njoftimi policisë:

“Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ të një rasti të shitjes së ilaçeve me vulën e spitalit të Tepelenës, në një farmaci private, për llogari të 3 shtetaseve (2 prej tyre, punonjëse në këtë spital), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetaset përgjegjëse për këtë rast.

Si rezultat, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset:

-K. Gj., 44 vjeçe, banuese në Tepelenë, me detyrë shefe e Shërbimit, në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

-N. Z., 61 vjeçe, banuese në Tepelenë, me detyrë kryeinfermiere, në Urgjencën e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

-J. Gj., 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion farmaciste, pronare e subjektit privat ku shiteshin ilaçet me vulën e spitalit të Tepelenës.

Në vijim, gjatë kontrolleve në spitalin e Tepelenës dhe në farmacinë e shtetases J. Gj., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kartela dhe regjistra mjekësorë që dyshohet se janë plotësuar me të dhëna fiktive, për të shitur ilaçe për përfitime personale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.”/Albeu.com


Shtuar 8.10.2023 13:44