Sherri për një parakalim të gabuar, Policia e Shtetit: Pezullohet nga detyra efektivi i “Shqiponjave”

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra shtetasin Y. D., punonjës Policie pranë Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi ka goditur një koleg të tij.

Sherri mes dy efektivëve ka ardhur si pasojë e një parakalimi të gabuar që ka bërë punonjësi i policisë pranë Forcave të Posaçme “Shqiponja”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në lidhje me një lajm të publikuar në portale që bën fjalë për një konflikt të ndodhur mes një punonjësi të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore dhe një punonjësi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ju informojmë se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit Y. D., punonjës Policie pranë Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasi:

Në rrugën e Barrikadave, punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, shtetasi N. H., ka konstatuar në parakalim të gabuar dhe me xhamat e errësuar automjetin me drejtues shtetasin Y. D., të cilit i ka bërë shenjë ndalimi. Drejtuesi i mjetit pasi ka ndaluar, është konfliktuar me punonjësin e Policisë, shtetasin N. H., të cilin e ka ofenduar e goditur për shkak të detyrës.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë. Po në lidhje me këtë ngjarje është duke kryer veprime AMP./albeu.com