Ditën e djeshme u mbyll përfundimisht beteja ligjore mes shtetit shqiptar dhe pronarit të Agon Channel, Francesco Becchetti.
Arbitrazhi vendosi në krah të biznesmenit Italian, Becchettit duke e gjobitur Shqipërinë me plot 110 milion euro që do të paguhen nga xhepat e shqiptarëve.
Pas vendimit, reagoi edhe kryeministri Rama i cili akuzoi opozitën dhe paralajmëroi se beteja ende nuk ka mbaruar.
Reagimi i Ramës:
Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm!
Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!
Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria!
E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!
Por përse u mbyll Agon Channel në Shqipëri?
Televizioni më i ri i asaj kohe, financuar nga biznesmeni Italian Francesco Becchetti, u mbyll në 2015, vetëm 2 vite pasi ai u krijua.
I pozicionuar kundër qeverisë Rama të asaj kohe, ky televizon shpesh u gjend përballë sulmeve politike të cilat kulmuan me mbylljen e tij.
Më 8 qershor 2015 biznesmeni Italian u akuzua nga Prokuroria shqiptare për krim financiar (pastrim parash dhe mospagim të taksave), duke iu bllokuar të gjitha llogaritë bankare.
Në atë kohë, punonjësit vazhduan punën pa u paguar, ndërkohë OSHEE për shkak të mospagimit të faturave u shkëputi edhe energjinë.
Një pikë e madhe kthese ishte dhe incidenti mes kryebashkiakut Veliaj dhe biznesminit Bechetti, ku “Agon Channel” mbuloi dasmën e tij luksoze në vitin 2014.
Në mesazhet e publikuara të asaj kohë, lexohej se si Veliaj paralajmëronte biznesmenin Italian për “luftë”.
“Unë nuk e kuptoj pse po ma bën këtë, ju po më detyroni të jem armiku juaj! E gjithë qeveria do të jetë armiku i [Becchetti] pa asnjë arsye. “- shkruante Veliaj në atë kohë.
Sot, rreth 6 vite më pas, biznesmeni Italian kërkon një shpërblim prej 110 milion eurosh nga xhepat e shqiptarëve, duke I dhënë goditjen e fundit ekonomisë shqiptare. /albeu.com/