Shell konfirmoi dështimin e Shpiragut, Balluku e mohon: Testet e cilësisë së naftës kanë dhënë rezultat të shkëlqyer

Disa ditë më parë, gjiganti ndërkombëtar i hidrokarbureve, Shell, konfirmoi zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e saj nga ky vendburim. Në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raportoi se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri. (Lexo raportin)

Por, ministria Energjisë deklaroi sot (15 prill 2024) se Kompania Shell nuk është tërhequr nga kërkimet për naftë në Shpirag. Ministria thotë se aktualisht po kërkohet një zgjidhje teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Njoftimi i Ministrisë

Procesi  i   kërkimeve   për   naftëgazmbajtjen   në   zonën   e   Shpiragut,   si   një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i  Qeverisë   Shqiptare,   nisur  me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone. Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi. Koha   e   finalizimi   i   procesit   të   nxjerrjes   së   kësaj   sasie   nafte   për   treg, kushtëzohet  nga  gjeologjia  shumë  specifike  e  nëntokës  së  Shpiragut  dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

Por në kushtet e diziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen   e   duhur   teknologjike   për   vënien   në   shfrytëzim   të   një   pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar. E   sigurojmë   opinionin   publik,   se   Qeveria   Shqiptare   dhe   Ministria   e Infrastrukturës   dhe   Energjisë   vijojnë   pa   asnjë   mëdyshje   punën,   në ndërveprim   me   kompanitë   partnere   për   të   bërë   të   finalizuar   procesin   e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese./albeu.com


Shtuar 15.04.2024 14:32