Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë publike të gjitha të dhënat mbi pronat e tij në Itali, duke i shoqëruar me dokumentacion përkatës si një formë transparence të plotë.
Pas sugjerimeve të ngritura nga Taulant Balla, drejtues i grupit parlamentar socialist, Shehaj vuri në dispozicion dokumentet italiane që tregojnë se prona e tij e deklaruar në ILDKPI, e shitura për 15 milionë euro, ishte blerë fillimisht në vitin 2019 dhe më vonë u ristrukturua një vit më pas me një investim prej të paktën 4 milionë eurosh, duke respektuar plotësisht legjislacionin italian.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se po ndërmerr një hap që asnjë politikan tjetër shqiptar nuk e ka bërë më parë: të ndajë me qytetarët çdo detaj rreth pronave të tij.
Sipas tij, prona në Itali u ble në vitin 2019 për 2.9 milionë euro dhe në vitin 2020 mori leje ndërtimi për të ngritur një vilë rreth 500 metra katrorë.
Investimi për rindërtim arriti në 4 milionë euro dhe tërësia e këtyre veprimeve figuron në deklaratat e pasurisë, derisa prona u shit për 15 milionë euro në vitin 2025.
Shehaj theksoi se çdo investim i tij është plotësisht i dokumentuar dhe i verifikuar në Itali, një vend ku, sipas tij, askush nuk toleron shkeljet e ligjit dhe pasojat janë të rënda.
Drejtuesi i Mundësisë publikoi gjithashtu informacion të detajuar për një rezidencë tjetër, për të cilën Balla kishte shpërndarë pamje dhe të dhëna të ambientit ku jetojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Ai sqaroi se këtë vilë e ka blerë për 10 milionë euro dhe planifikon ta rishesë me një çmim më të lartë pas një riinvestimi, ndoshta edhe për 25 milionë euro.
Pas këtij akti transparence me dokumentacion, Shehaj deklaroi se sulmet ndaj tij janë të porositura nga Edi Rama. Ai e sfidoi kryeministrin të tregojë hapur se si arriti të ndërtojë një vilë në Surrel me një sipërfaqe prej 1 mijë metrash katrorë dhe katër godina, duke deklaruar një kosto prej vetëm 400 mijë eurosh në ILDKPI.
Shehaj vuri në dyshim se kjo shumë nuk do të mbulonte as pagesën e arkitektit dhe kërkoi që Rama të shpjegojë origjinën e këtyre parave dhe identitetin e ndërtuesit.
Ai shtoi se fushata kundër tij nuk do ta frenojë nga zbulimi i aferave qeveritare, duke theksuar se pasurinë e tij e ka krijuar me punë të ndershme, ndërsa akuzuesit e tij kanë përfituar nga vjedhja e popullit më të varfër në Evropë.
Shehaj akuzoi mazhorancën se po përdor të gjithë aparatin e propagandës për ta sulmuar, sepse i ka ardhur fundi. Ai madje pretendoi se janë angazhuar individë nga mediat e opozitës për ta bërë baltën më të besueshme, por shprehu bindjen se njerëzit e kuptojnë se ai i ka rritur fëmijët me punë të ndershme, ndërsa kundërshtarët e tij me paratë e qytetarëve shqiptarë.
Prej më shumë se një jave, përfaqësues të mazhorancës dhe media të caktuara kanë nisur një sërë akuzash ndaj Shehajt, të cilat ai i ka cilësuar si shpifje dhe u është përgjigjur duke ofruar transparencë me dokumente.
