SHBA-ja vë veto ndaj rezolutës për armëpushim humanitar në Gazë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përdorën veton kundër një rezolute të mbështetur pothuajse nga të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit dhe dhjetëra vende të tjera të premten, e cila kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës.

Mbështetësit e saj e quajtën të premten ditë të tmerrshme dhe paralajmëruan se do të ketë më shumë vrasje të civilëve dhe shkatërrim më të madh në luftën që ka hyrë në muajin e tretë.

Rezultati i votimit ishte 13-1 në Këshillin e përbërë nga 15 anëtarë. Britania e Madhe abstenoi nga votimi.

Qëndrimi i SHBA-së pasqyron një ndarje që po rritet mes Uashingtonit dhe disa prej aleatëve të tij më të mëdhenj për shkak të bombardimeve vdekjeprurëse të Izraelit në Gazë.

Franca dhe Japonia votuan në favor të rezolutës.

Votimi, po ashtu, e zhvendosi përgjegjësinë më shumë tek Shtetet e Bashkuara që po e mbrojnë Izraelin nga kërkesat në rritje për t’i ndalë sulmet ajrore që i kanë vrarë mijëra civilë palestinezë.

“Cili është mesazhi që po ua dërgojmë palestinezëve, nëse ne nuk mund të bashkohemi për ta bërë një thirrje për ndaljen e bombardimeve të pareshtura në Gazë?” tha zëvendësambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB, Mohamed Abushaha, pas votimit.

Zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, e kritikoi Këshillin e Sigurimit pas votimit se ka dështuar ta dënojë sulmin e Hamasit – grupit radikal palestinezë të shpallur organizatë terroriste nga SHBA – në Izrael më 7 tetor, ku pjesëtarët e tij i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civil.

Ai tha se ndalja e luftimeve do t’ia mundësonte Hamasit të vazhdojë ta udhëheqë Gazën dhe “vetëm të përgatitet për luftën e radhës”.

“Derisa Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm një paqe të qëndrueshme, në të cilën Izraeli dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri, ne nuk i mbështesim thirrjet për armëpushim të menjëhershëm”, tha ai.

Ushtria Izraelite i ka vrarë më shumë se 17.400 palestinezë në Gazë – 70% gra dhe fëmijë – dhe i ka plagosur mbi 46.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, e cila thotë se shumë njerëz të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja. /REL


Shtuar 9.12.2023 10:40

Tags: ,