Sezoni veror, Drejtori i “Rrugores”: Nuk tolerojmë asnjë drejtues që bën shkelje, rrugët alternative në Vlorë kur ka trafik

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Altin Qato ka dalë në një konferencë për shtyp pasditen e sotme, ku i bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të ndërgjegjësohen në lidhje me kodin rrugor pasi parakalime të gabuara dhe shkelje të ndryshme bëhen shkak i cenimit të sigurisë së qytetarëve.

Ai u shpreh se kontrollet më të mëdha janë gjatë të premteve dhe të dielave dhe i bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve, që të ndjekin edhe rrugë alternative në mënyrë që të shmangin trafikun.

“Dje ishim në një forum me gjithë partnerët me sigurinë robote dhe fatmirësisht jemi në një trend të dukshëm të uljes së aksidenteve që na çon drejt mesatares së BE.

Megjithatë nuk jemi të kënaqur dhe policia ka shtuar kontrollet. Me të gjithë aktorët ne duam të ndikojmë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Përveç punës që bëjmë ne, policia përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për ndëshkimet e kodit rrugore në mënyrë që të kemi ndërgjegjësim. Rezultati është shumë pozitiv por në duam minimizimin deri në nivelin zero të aksidenteve.

Kemi edhe shumë shtetas që vijnë nga vendet e tjera prandaj ka më shumë lëvizje në këtë periudhë. Nuk do të tolerojë asnjë drejtues mjeti që bën parakalime të gabuara sepse prishin bashkëjetesen qytetare dhe shkelin kodin rrugor. Secili duhet të presë radhën. E premtja është ditë shumë e rënduar prandaj ka më shumë kontrolle edhe e diela gjithashtu që kthehen.

Qëllimi nuk është të vendosim gjoba por ndërhyjmë në rast shkeljeje pasi mund të rrezikohet siguria.”, tha Qato.