Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi do të dorëzojë një amendament të një rezolute që duhet të miratohet nga Këshilli i Evropës, e që ka të bëjë me integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
“Ata thonë se po mbrojnë integritetin e Moldavisë, Gjeorgjisë… Ne kemi shtuar një amendament për të respektuar integritetin territorial të të gjitha vendeve të tjera të Këshillit të Evropës”, tha Vuçiq për Televizionin Happy të Serbisë.
Të lidhura
None found
Samiti i Këshillit të Evropës do të mbahet gjatë këtij muaji në Islandë.
Vuçiq tha se nuk do ta ndjekë atë, nëse amendamenti nuk pranohet.
Serbia, e cila është anëtare e Këshillit të Evropës, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj.
Vuçiq tha se Serbia nuk do ta ndryshojë rrugën e saj evropiane pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por se në marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ai, do të punojë më ngushtë me vendet që kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës.
Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur më 24 prill që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare.
Me këtë vendim kanë nisur zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës, i cili është dorëzuar në maj të vitit 2022.
Serbia përpiqet ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe pse me disa marrëveshje të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
