Një 33-vjeçar ka rënë në pranga e policisë dhe pesë të tjerë, janë shpallur në kërkim pasi kontrabandonin mallra të ndryshme.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Coffe seeds”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
U arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, arrestuan shtetasin F. K., 33-vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasve E. T., 30-vjeç, M. T., 33-vjeç, A. Ç., 33-vjeç, I. Ç., 35-vjeç, dhe A. S., 33-vjeç.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë.