Seferi mund të qëndrojë gjatë te Tirana, beson akoma se “bardheblutë” mund të fitojnë titullin

Taulant Seferi është shndërruar në një lider te Tirana me paraqitjet e tij dhe po mendon seriozisht të qëndrojë më gjatë në kampionatin shqiptar. I ftuar në emisionin “Zona Gol” të gazetarit Glendi Tafaj, sulmuesi nga Kumanova ka folur jo vetëm për eksperiencën e tij si bardheblu, por edhe për mungesën e ftesës nga kombëtarja shqiptare.

Sa i kënaqur jeni me eksperiencën te Tirana?
Jam në klubin më të madh në Shqipëri, në klubin me më shumë tituj. Unë mundohem të jap gjithmonë maksimumin tim, të jem vetvetja dhe i ndërgjegjshëm që kam dhënë më të mirën si në stërvitje, po ashtu edhe në ndeshje.

A keni një objektiv personal për numrin e golave të shënuar?
Ka njerëz që më ngacmojnë, më shkruajnë pse nuk bërë gol?! Për mua rëndësi ka skuadra, të jem aty për ekipin tim, ta ndihmoj skuadrën dhe kur Tirana ka rezultate të mira, edhe unë jam i lumtur. Normalisht çdo sulmues dëshiron të shënojë, por besoj që edhe golat do vijnë. Kam objektiv të shënojë edhe 5 apo 6 gola të tjerë.

Fitorja ndaj Apolonisë duket se e ka rikthyer Tiranën në garë për titull...
Gjithçka është e hapur dhe mendoj se kemi shanse. Ne jemi shumë të lidhur jemi si një familje dhe shpresoj që të na ecë mirë, të vazhdojmë kështu dhe besoj do i arrijmë objektivat tonë. Diferenca nuk është shumë e madhe, ne duhet çdo ndeshje ta vlerësojmë maksimalisht.

Cilat janë skuadrat më të mira në Shqipëri?
Më ka pëlqyer shumë se si ka luajtur Laçi përpara 2 ndeshjeve të fundit, por edhe Teuta është një ekip i mirë.

Ju erdhi keq për mungesën në kombëtare? A mendoni se ndikoi fakti që luani në Shqipëri tashmë?
Është vendim i trajnerit Reja, edhe sulmuesit e tjerë kanë bërë gola dhe kjo mendoj ka qenë arsyeja që nuk jam grumbulluar, nuk besoj se ka ndikuar ardhja në kampionatin shqiptar tek mungesa në listën e përfaqësueses. Për mua ka rëndësi që kombëtarja të bëj paraqitje dinjitoze, unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem gati për skuadrën përfaqësuese

Ku e shihni veten në të ardhmen?
Të them të drejtën kur isha në Zvicër nuk e kam ndjekur kampionatin shqiptar dhe nuk kam patur një mendim pozitiv për ligën shqiptare, por tani që luaj këtu mund të them që është një kampionat shumë i fortë, është agresiv dhe më pëlqen shumë. Unë kam edhe një vit kontratë me Young Boys dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në verë. Më pçlqen shumë Tirana, nuk ia mbyll aspak derën një qëndrimi këtu, pasi çdo gjë është e hapur.


Shtuar 5.04.2021 09:37

Tags: ,