Seanca Basha-Veliaj, kryebashkiaku shmang përballjen me kreun e PD-së, nuk paraqitet në GJKKO

Sot është zhvilluar seanca e radhës Basha-Veliaj në Gjykatën e Posaçme, ku kryebashkiaku i Tiranës nuk ka qenë i pranishëm, duke shmangur përballjen me kreun e PD-së. Basha u paraqit, ndërsa Veliaj përfaqësohej përmes avokatëve të tij.

Në këtë seancë, Basha refuzoi që të pajtohej me Veliajn, dhe kërkon që ai të hetohet për shpifje, në lidhje me deklaratat që ka bërë në fushatën e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Pas ndryshimit të gjyqtares që kishte në dorë padinë penale të Bashës ndaj Veliaj, kreu i PD ka shkuar në seancë për të shmangur pezullimin e çështjes pas ndryshimit të gjyqtares, duke treguar kështu vullnetin për ta çuar deri në fund përballjen me Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje.

4 muaj më parë, Gjykata e Lartë njoftoi se GJKKO është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një zyrtarëve të lartë.

Në padinë penale argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së PS për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete ndaj Bashës, të cilat demokratët i konsiderojnë shpifje.

Padia konsideron si shpifje të Erion Veliajt akuzat se 1) kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit; 2) se Basha ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe 3), se ka ndërtuar pa leje.


Shtuar 24.11.2021 10:20