Sapo e pa, e qëlloi me thikë… i burgosuri egjiptian mbante në telefon foton e Andrea Kalemit. Zbardhen detaje të reja për atentatin e dështuar ndaj kushëririt të Aleksandër Sadikajt

Një i burgosur egjiptian në burgun “Koridhalos” në Athinë ka tentuar të vrasë 51 vjeçarin shqiptar, Andrea Kalemin.

Ky i fundit ka mundur t’i shpëtojë këtij atentati të ndodhur në një burg të sigurisë së lartë.

Nga detajet e reja të zbuluara lidhur me ngjarjen e ndodhur më 14 ose 15 dhjetor, pasi ende nuk është sqaruar diçka e tillë, sipas News24, mësohet se autori egjiptian ishte transferuar nga burgu i Domokos në burgun e Koridhalos, ndërsa në telefonin e tij ai kishte foton e Andrea Kalemit, për të cilin dyshohet se ishte paguar ta vriste.

Sapo ka parë foton ai e ka qëlluar me thikë. Telefoni i egjiptianit u gjet i thyer më pas, ndërsa nuk dihet nëse e ka thyer vetë apo nga përleshja me të burgosurit e tjerë.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.

Këtij të fundit, gardianët i kanë sekuestruar një thikë dhe një celular të thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Mësohet se ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Megjithatë burime jo zyrtare konfirmojnë se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.


Shtuar 17.12.2023 19:59