Salianji reagon pas përjashtimit të 4 deputetëve: S’ka vendime të grupit parlamentar as mbledhje të tij

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Enkelejd Alibeaj për përjashtimin nga grupi të katër deputetëve.

Sipas Salianjit nuk ka patur mbledhje të grupit parlamentar dhe për këtë arsye nuk ka as vendime të tij. “Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, dhe inatet e vogla nuk bëhen dot vendime”, shprehet ndër të tjera Salianji.

Postimi i plotë

Duhet bërë gjithçka për bashkimin dhe dhënien forcë demokratëve! Nuk ka përjashtime, sepse s’ka vendime të grupit parlamentar as mbledhje të tij! Kam keqardhje kur lexoj deklarata personale dhe në dëshpërim të cilat nuk i bëjnë mirē askujt.

Sakrificat e demokratëve kërkojnë bashkim jo ndarje! Shqipëria meriton opozitë reale dhe dinjitoze, fati politik i çdokujt varet nga votat jo nga mllefet personale!

Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, dhe inatet e vogla nuk bëhen dot vendime!  Grupi Parlamentar do të reagojë me përgjegjshmëri dhe perpjekja për bashkim, do duhet te shihet me shumë respekt për ata qe e bëjnë realitet në interes të vendit dhe demokratëve.  Kjo do te ndodhë! Vetëm kjo rrugë e bën fituese Partine Demokratike!

 


Shtuar 10.01.2023 20:59