Safet Gjici nuk ia ka shitur, por ia ka dhuruar/ Zbulohet emri i pronarit të ri të Kukësit

Pas 12 vitesh Klubi i Futbollit Kukësi, nuk do të jetë më financimin e familjes Gjici. Deri më tani, është raportuar për një shitje të aksioneve në masën 100%, por mësohet se klubi i është dhuruar për një periudhë të pacaktuar një biznesmeni, profili i të cilit do mësohet zyrtarisht të shtunën kur Kukësi të mbajë një konferencë të posaçme për shtyp.

Megjithate, përmes burimeve mësohet gjithashtu, se administratori i ri do jetë biznesmeni Atilio Guranjaku dhe jo një lituanez siç është thënë më herët.

Kushti për përdorimin e klubit është që të mos e shesë, pasi familja Gjici në një të ardhme jo të largët kërkon të rikthehet si zotëruese e FK Kukësit.

Enigmë për momentin qëndron fakti se çfarë biznesesh përfaqëson Atilio Guranjaku.

Vështirësitë e klubit të Kukësit nisën që prej arrestimit të ish-presidentit dhe kryetarit të bashkisë Safet Gjici, tashmë i dënuar të vuajë 3 vite burg. Nën udhëheqjen e Gjicit verilindorët patën edhe periudhën më të suksesshme në historinë e tyre.

Në 12 vite Kukësi arriti të fitonte 4 trofe, Superligën në sezonin 2016-2017, Superkupën e Shqipërisë në sezonin 2015-2016 dhe dy herë Kupën e Shqipërisë në sezonet 2015-2016 dhe 2018-2019.

Për herë të parë që prej administrimit nga familja Gjici, sezonin e kaluar në 2023-2024, Kukësi zbriti në kategorinë e parë. Këtë sezon që nis, edhe pas ardhjes së drejtuesve të rinj, synon të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar.