Sachi si Van Basten: Napoli na mori titullin kampion me një mashtrim në vitin 1990

Marko Van Basten nuk është i vetmi që mendon se titulli i vitit 1990, i fituar nga Napoli i Diego Armando Maradonës, duhej t’i shkonte Milanit të tre holandezëve. Disa ditë më parë, legjenda e futbollit botëror akuzoi se asokohe ia kishin vjedhur titullin në mënyrë të qartë pët ë gjithë dhe këtë ide e mbështet edhe trajneri i asaj skuadre, Arrigo Saki.

Në një intervistë të dhënë sot, duke festuar 75-vjetorin e tij, Saki ka kujtuar pikërisht atë edicion duke përsëritur pak a shumë të njëjtat akuza.

“Humbja që ka djegur më shumë? Titulli i vitit 1990. Mbeta shumë i zhgënjyer nga drejtësia pasi na morën një kampionat me një mashtrim. Të gjithë e kishin parë se Alemao kishte mbetur në tokë në Bergamo edhe pse monedha nuk e kishte vrarë aq shumë.

Luanim më mirë se Napoli, do të kishte qenë e drejtë nëse do të kishim fituar ne. Atëherë kishte gjëra aq pak të qarta të cilat i kuptova më vonë, por më mirë po e qep gojën se përndryshe më fusin në burg. Le të themi se asokohe politika ishte në dijeni të çështjes” tha Saki, duke lënë të kuptohet se vendimi për fitoren e Napolit kishte qenë një çështje politike asokohe.

Shtuar 1.04.2021 08:04