Policia njoftoi sot se një 44-vjeçar, në kushte depresioni ishte hedhur nga një kullë në ndërtim në Bulevardin Bajram Curri në kryeqytet duke humbur jetën.
Blutë thonë se do të hetonin shkakun e vetëhedhjes së personit nga kulla duke thënë paraprakisht se ishte në kushte depresioni, ndërsa nuk shprehet në asnjë rresht për masat që do të marrë ndaj ndërtuesit që e ka lënë një kantier ndërtimi të hapur.
Është detyrim ligjor që ndërtuesit të marrin masat për të ndaluar futjen e personave nga jashtë në mënyrë që të mos dëmtohen për shkak të punimeve që kryhen.
Duket qartë se kushtet e sigurisë janë shkelur nga përgjegjësit teknikë për ndërtimin e kësaj kulle në mes të kryeqytetit.
Duket se krahas faktit që janë kthyer në lavatriçen e pastrimit të parave, fenomen i cili dëmton rëndë ekonominë, tashmë “kullat” po e mbyllin ciklin e mjerimit social duke u bërë fatkeqësisht një alternativë qytetarëve në dëshpërim edhe se ku të vrasin veten.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 27.05.2023, shtetasi E. T., 44 vjeç, banues në rrugën “Mujo Ulqinaku”, ka shkuar në një pallat në ndërtim e sipër, në bulevardin “Bajram Curri”, dhe dyshohet se në kushte depresioni, është vetëhedhur nga kati i 15-të i kësaj ndërtese dhe ka rënë në katin e 10-të.
Si pasojë 44-vjeçari ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të shkakut të vetëhedhjes së 44-vjeçarit nga lartësia.