Sa rrezikon Shqipëria nga tërmeti i djeshëm? Përgjigjet Specialistja

Specialistja pranë Institutit të Gjeoshkencës, Anira Gjoni, është shprehur se Shqipëria nuk është e rrezikuar nga tërmeti i djeshëm.

Ajo shtoi se ka pasur disa pasgoditje pas tërmetit të djeshëm që “shkundi” juglindjen e vendit mbrëmjen e së dielës.

Komentet ajo i bëri në një lidhje për ABC News, ku tha se deri më tani nuk ka pasur raportime për dëme ndërsa shtoi se vendi ynë nuk rrezikohet nga kjo vatër sizmiologjike.

“Tërmeti i natës së mbrëmshëm 22:43, ka qenë i regjistruar 5.6 Rihter me thellësi 9 km, epiqendra ka qenë 40 km të verilindje të Bilishtit dhe 240 km nga qendra e Tiranës. Është ndjerë në Tiranë dhe në qarqet e lindjes dhe të jugut të vendit. Sipas raportimeve, nuk ka pasur dëme, duke qenë se konsiderohet dhe larg vendit tonë.

Që nga momenti i kësaj goditje ka pasur disa pasgoditje të këtij tërmeti, domethënë se nuk është se pritet të ketë diçka më të madhe. Vendi ynë nuk është i rrezikuar nga kjo vatër, nuk do të ketë pasoja për vendin tonë nga kjo pikë ku është zhvillohet aktiviteti sizmik i mbrëmshëm.”, tha specialistja./albeu.com/


Shtuar 10.01.2022 13:30