Rusia fundos anijen në Detin e Zi, flota e NATO-s është përballë

Tensioni mbetet i lartë në Detin e Zi ku flotat e perëndimit janë përballë atyre të Rusisë, e cila ka kërcënuar edhe me fundosjen e anijeve që do të futen sipas saj në ujërat territoriale ruse duke pretenduar diçka të tillë për Krimenë.

Të shtënat dhe shpërthimet nga stërvitjet e të dyja palëve nuk kanë reshtur në Detin e Zi, ndërsa gjatë mëngjesit të sotëm flota dhe aviacioni rus kanë fundosur një anije “armike” në Detin e Zi duke testuar kështu arsenalin e saj ushtarak. Anija e vjetër u qëllua nga anijet e tjera ushtarake ruse si edhe 10 avionë që fluturuan aty gjatë stërvitjes.

Më herët Rusia kërcënoi një destrojer britanik me pretendimin se ishte futur në ujërat ruse, siç i konsiderojnë ata territorin ujor përreth Krimesë.

Në Detin e Zi janë duke kryer manovra ushtarake tani 32 shtete të NATO-s me në krye SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, të cilët asnjëherë nuk e kanë njohur aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Shtuar 3.07.2021 10:51