Pavarësisht pompozitetit të dhënë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, duket se marrëveshja pa nënshkrim e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë s’ka qenë aq bindëse për pesëshen e shteteve anëtare të BE-së për të ndryshuar qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ministria e Jashtme e Rumanisë s’kanë treguar nëse do të ndryshojnë qëndrim për pavarësinë e Kosovës pas dakordimit të arritur më 18 mars në Ohër, derisa kanë vlerësuar zhvillimet e ndodhura në qytetin maqedonas.
“MPJ e vlerëson rezultatin e arritur në Ohër më 18 mars, në mes të Beogradit dhe Prishtinë nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me lidershipin aktiv të Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell dhe emisarit Miroslav Lajcak, të cilin ne e mbështesim fuqishëm”, kanë deklaruar për Express nga MPJ e Rumanisë.
Bukureshti zyrtar ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën gjithëpërfshirëse për implementimin e marrëveshje, që sipas tyre është çelësi në rrugën përpara.
Në fund thonë se Rumania e përkrah procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja si korniza kryesore për normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të raporteve Kosovë-Serbi.
“Rumania mbështet Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë kryesore për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, ka përfunduar MPJ rumune për Express.
Qëndrimin për Kosovën s’e ka ndryshuar as Spanja. Ditë më parë për Express Madridi zyrtar ka konfirmuar se vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008 dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE”, ka thënë për Express Elena Aljarilla Cortezón nga MPJ e Spanjës.
Qëndrim s’ka ndryshuar as Greqia, që bazuar në vizitat zyrtare dhe raportet dypalëshe, dukej si një prej shteteve që ishte më afër vendimit për ta njohur Kosovën si shtet.
Presidentja e Greqisë brenda dy ditësh ka përsëritur qëndrimin e shtetit të saj se Athina zyrtare nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Ne mbështesim bisedimet e fundit. Qëllimi ynë është të forcojmë pozitën ekonomike të Serbisë. Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar”, ka thënë presidentja greke Katerina Sakelaropoulou.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ditë më parë ka lënë të kuptohet se Marrëveshja e Ohrit mund të nxis shtetet e BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës”
“…unë mendoj se kjo marrëveshje na vendos në rrugën drejt njohjes nga këto shtete (shtetet mos-njohëse). Sa i përket Serbisë, kjo mund të jetë çështje tjetër që mund të marrë kohë por nëse arrijmë te marrëdhëniet e normalizuara atëherë kjo mund të ketë efekte shumë pozitive në ndërveprimet e përditshme dhe ma merr mendja që me kalimin e kohës do të shkojmë atje. Por për pesë shtetet mos-njohëse, fakti që dy vendet (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen, dhe me supozimin se do ta zbatojnë, atëherë kjo mund t’i drejtojë kah njohja.”, ka thënë Blinken.
Përveç Spanjës dhe Greqisë e Rumanisë, Kosovën nuk e njeh as Sllovakia dhe Qipro./GazetaExpress/