Rudina Hajdari i “përvishet” Ramës për “Open Balkan”: Po sillesh si vasal i Rusisë duke dëmtuar interesat e Kosovës

Rudina Hajdari ka reaguar pas deklaratës së një dite më parë të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili u shpreh se iniciativa “Open Balkan” është projekt i Serbisë dhe gëzon mbështetjen e Rusisë.

Hajdari kërkon nga Rama të sqarojë pozicionin e tij, ndërsa shtoi se kryeministri po sillet si vasal i Rusisë duke dëmtuar interesat e Kosovës.

“Edi Rama duhet të sqarojë pozicionin e tij mbas deklaratës së Lavrov se Open Balkan është iniciativë e Serbisë dhe gëzon sot mbështetjen e Rusisë.

As Serbia e as Rusia nuk janë aleatët tanë strategjikë dhe synimi i tyre ka qenë dhe është izolimi i Kosovës, izolim i cili po reflektohet edhe në projektin e Open Balkan të cilin e mbështet vetëm Vuçiç për këtë arsye.

Edi Rama po sillet jo si kryeministër e shqiptarëve por si vasal i Rusisë duke dëmtuar interesat e Kosovës”, shkruan në Facebook Hajdari./albeu.com


Shtuar 7.06.2022 12:12