“Rrugorja” aksion në Tiranë/ “Tapë” në timon dhe tentativë korrupsioni, procedohen 30 shoferë, qindra patenta të pezulluara

Policia Rrugore në Tiranë ka bërë bilancin e javës së fundit.

Mësohet se janë vënë në pranga dhe proceduar 30 qytetarë, ndërkohë që janë pezulluar 323 leje drejtimi.

Lejet e drejtimit janë pezulluar për shkak te drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Njoftimi:

Policia Rrugore e Tiranës

Vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, në kryeqytet, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Vëmendje e veçantë gjatë kësaj jave i është kushtuar drejtuesve të motomjeteve, të cilët gjatë qarkullimit në kushtet e erresirës, nuk përdorin jelekun fosforeshent, si dhe ndaj drejtuesve të mjeteve që kryejnë gara shpejtësie, të cilët janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

▫️Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 9 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera.

▫️30 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

▫️323 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

▫️Janë verifikuar dhe proceduar 143 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të jelekut fosforeshent në kushtet e errësirës.