Rreth 5 milionë euro në vit për të parkuar në Tiranë

Parkimi është një mision i vështirë në Tiranë, por edhe kosto për të lënë makinën një apo disa orë sa vjen e rritet, teksa parashikohet që vitet e ardhshme shuma totale e paguar të luhatet në rreth 5 milionë euro.

Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në vitin 2022, të ardhurat e pritshme nga parkimi pritet të jenë gati 500 milionë lekë, nga 575 milionë lekë që ishte plani fillestar.

Arkëtimet e Bashkisë nga parkimi i automjeteve përbëjnë rreth 4% të të ardhurave që Tirana siguron nga taksat dhe tarifat.

Në vitet në vazhdim, Bashkia pret që të mbledhë më shumë të ardhura nga tarifa e parkimit. Në 2023-n, përdoruesit e automjeteve pritet të paguajnë 602 milionë lekë (5.2 milionë euro). Në dy vitet në vijim të ardhurat e Bashkisë nga parkimi pritet të rriten më tej, në përkatësisht 623 milionë lekë në 2024-n dhe 647 milionë lekë në 2025-n.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023-2025 të Bashkisë Tiranë, parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në rrugë është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e rrugëve me tarifim të cilat nga numërimi i fundit faktik në terren rezultojnë të jenë:

  1. Zona A – 39 rrugë me 1111 vende me pagesë
  2. Zona B – 26 rrugë me 1,081 vende me pagesë
  3. Zona C – 9 rrugë me 375 vende me pagesë

Parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në sheshe është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e tyre që rezultojnë të jenë:

  1. Zona A – 8 sheshe me 922 vende parkimi
  2. Zona B – 5 sheshe me 600 vende parkimi
  3. Zona C – 1 sheshe me 108 vende parkimi

Të ardhurat nga sektori i inspektimit në rrugë, përveç shtimit të vendeve të reja, është parashikuar të rriten dhe si pasojë e dy faktorëve të tjerë si:

o        Shtimi i një metode të dytë alternative të pagesës së shërbimit të parkimit

o        Shfrytëzimi më efikas i vendparkimeve aktuale

Në të njëjtën kohë, sipas relacionit, është marrë parasysh vështirësia në realizim e të ardhurave që vjen si pasojë e dy faktorëve të mëposhtëm:

o        Duke qenë se gjoba për mospagesën e tarifës së parkimit vendoset dhe arkëtohet nga Policia Bashkiake sjell vështirësi në realizimin e planit të parashikuar.

o        Bllokime të rrugëve për shkak të kantiereve të ndërtimeve, punimeve në rrugë dhe aktiviteteve.

Së dyti, synohet të mblidhen detyrimet e prapambetura nga subjektet që operojnë si “taksi” duke bërë të mundur rritjen e të ardhurave për vitin 2023 e në vazhdim.

Së treti, numri i abonimeve i cili pretendohet të rritet me gati 5% duke marrë parasysh:

o        Heqja e disa prej rrugëve me kapacitet të konsiderueshëm të vendparkimeve të Zonës A do të sjellë rritje të numrit të abonimeve.

o        Tarifat e shërbimit të parkimit në rrugë gjithashtu ndikojnë për rritjen e numrit të abonimeve në sheshe.

o        Shtimi në vitin 2022 i shesh parkimit nëntokësor të kopshti Zoologjik.

Së fundmi, duke marrë parasysh gjithë elementët e mësipërm dhe interesit të shprehur per kontrata të reja dhe rinovim të atyre ekzistuese nga subjektet private, edhe ky zë i të ardhurave të parashikuara nga Tirana Parking parashikohet të rritet mesatarisht me 4%, thekson relacioni./Monitor

Burimi: Bashkia Tiranë


Shtuar 7.12.2022 08:50