Rrëfimi tronditës i 30-vjeҫares nga veriu i Shqipërisë: U përdhunova që në moshën 13-vjeçare për 8 vite, linda fëmijë, abuzuesit më…

Një grua, e identifikuar si Sara, gjatë një interviste, ka rrëfyer historinë e trishtë të jetës së saj, që nis me përdhunimin që në moshën 13-vjeçare.

Ajo tregoi se është abuzuar seksualisht nga të njëjtët persona, për gati tetë vite.

“Ndodhte nëpër makina, hotele, ferra, ku të ishin… Shoqet e mia më shihnin shenjat, nuk e morën kurrë guximin të më pyesin apo të më thoshin a ke nevojë për ndihmë. Ata më thoshin po tregove gjë, do të të vrasim”.

Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, Sara nuk e mori dot guximin të denonconte autorët.

“Kam tentuar të largohem, kur ata kryenin aktin makabër, unë i godisja dhe ofendoja. Por, mora guximin për të ikur 2 vite më vonë. Doja të nisja një jetë të re, por ishte e pamundur. Nuk i shkova dot deri në fund, nuk i denoncova dot. Frika më e madhe ishte se ata nuk vepronin vetëm”.

Nisi një jetë të re, por ra sërish viktimë e një përdhunimi, nga i cili mbeti shtatzënë.

“Më pas u abuzova prapë, solla në jetë një fëmijë. vendosa ta mbaja fëmijën. E denoncova dhe personi që abuzoi me mua, bëri vetëm dy vite burg. Po e rris e vetme fëmijën. Kushtet ekonomike nuk i kam, pa punë jam. Shpesh, fëmijës i mungojnë gjërat elementare”.

Me dhimbje, Sara tregon rastet kur bashkë me fëmijën flenë pa ngrënë.

Megjithatë, apeli i saj i vetëm është të ketë mbrojtje, pasi kërcënohet vazhdimisht nga abuzues dhe familjarë të tyre.

“Ka raste që flemë pa ngrënë. Kërkoj që shteti të më mbrojë mua dhe fëmijën tim nga këta persona. Kam që në korrik që marr mesazhe kërcënuese. Më ka thënë ‘e dimë shumë mirë ku ndodhesh, nëse i bën publike këto mesazhe, do të të çojmë në Holandë dhe do marrin 300 mijë euro. I kam çuar letrat në Prokurori dhe më ka sjellë letër për mosfillimin e çështjes, pasi për prokuroren këto nuk janë kërcënime”.

 


Shtuar 23.01.2024 14:40