Rrëfimi i Skerdi Tases: Nipi i Renatos spiunonte për të vrarë Gim Boriçin në Fier, roli i “Sakatit” tek Masha

“Ora News” zbardh ekskluzivisht dëshminë e bashkëpuntorit të Drejtësisë, Skerdi Tasi, killerit me pagesë i përdorur nga Henrik Hoxha, Erjon Alibej dhe Nuredin Dumani, në disa vrasje, plagosje dhe ngjarje të rënda kriminale me vendosje tritoli.

Tasi tregon episode kriminale të ndodhura në Elbasan dhe Fier. Duke filluar nga grabitjet me armë të argjendarive, marjen e “Skorpionsit” dhe një motori “Kavasaki” tek Aleksandër Baho (Sakati) në Elbasan, për goditjen e biznesmenit Lulzim Masha, përplasjen e grupeve kriminale në Fier, kultivimin e hashashit në zonën e Patosit dhe Voskopojës në Korçë, implikimin me drogën të një biznesmeni të njohur nga Mallakastra që zotëron një lokal tek “Kodra e Diellit”, si dhe implikimin e Renato Saliut alias (Renato Çamit) dhe nipit të këtij të fundit, që quhet Tarjon, në goditjen e Agim Boriçit alias Aredin Behari.

Sipas Skerdi Tases, ishte pikërisht Tarjoni ai që informonte Henrik Hoxhën, për lëvizjet e Gim Boriçit. Për këtë vrasje dhe rolin e Renato Saliut, Albert Pashaj e Tarjonit, Henrik Hoxha ka refuzuar të flasë në SPAK, duke humbur përfundimisht statusin e bashkëpuntorit të Drejtësisë.

Boriçi është një emër jo pak i njohur për policinë e qytetit të Fierit. Agim Boriçi rezulton i proceduar për 3 vrasje dhe 1 tentativë vrasje, të ndodhura në vitet 1994 dhe 1998 në Fier. Ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim për veprat penale “vrasje me dashje” të shtetasit Ervin Gjini, më 12 prill të vitit 1994.

Vrasje me dashje, të Edmond Zefit, Eduard Binxho dhe “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë të Agim Ulaj, ndodhur më 5 qershor 1998. Për këto krime të rënda, fillimisht Boriçi në vitin 2001 është deklaruar i pafajshëm nga gjykata e Fierit.
Më pas në janar 2008 Boriçi, është dënuar me 20 vjet heqje lirie mnga gjykata e Apelit në Vlorë.

Ndërsa në 8 Korrik 2009, ai është shpallur përfundimisht i pafajshëm, me një vendim të Gjykatës së Lartë. Sipas dëshmisë së Skerdi Tasit, veç interesit të Renato Saliut, Agim Boriçi, kërkohej të vritej edhe nga Albert Pashaj, me të cilin njeriu që i shpëtoi tre atentateve në 2017, 2018 dhe 2019, kishte një histori borxhi financiar dhe konflikt të hapur në Gjykatën Civile të Fierit dhe Vlorës.

Aktualisht SPAK po heton rolin e gjithsecilit prej personave të përfshirë në këto tre atentate të dështuara ndaj Agim Boriçit në Fier. Në qershor 2023, SPAK vendosi të arrestojë në Fier Albert Pashaj dhe ti komunikojë në burg masën e arrestit Skerdi Tasit dhe Henrik Hoxhës. Ndërsa për personat e tjerë hetimet për këtë rast vijojnë.

Në këtë ngjarje sipas rëfimit të Skerdi Tasit, del se ka negociuar për dhënien e punës me qëllim vrasjen e Agim Boriçit edhe shtetasi Viron Tavanxhiu nga Fieri. Një personazh ky që njihet me disa emra si Viron Kabuci alias Viron Tavanxhiu, alias Erion Prifti. Në qershor 2017, Tavanxhiu rezulton i dënuar nga gjykata e Korçës me 1 vit burgim për akuzën e “Falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave” më shumë se një herë.

Ndërsa në tetor 2020 Tavanxhiu është ekstraduar nga Shqipëria në Itali, dhe aktualisht po vuan një dënim me 22 vite burgim, pasi është dënuar nga gjykata e Milanos për vrasjen e një shtetasi Tunizian, Ezzedine Hkiri dhe plagosjen e shqiptarit Gentjan Xhepa./ora


Shtuar 13.09.2023 10:16