Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, njëherazi themelues i Kujto.al, është shprehur se njësoj si mijëra të tjerë, edhe i ati i tij kërkon të dijë se ku janë eshtrat e të atit të vet.
Nën “Tingujt e Kujtesës”, përmes një mbrëmjeje homazh, u kujtuan artistë e intelektualë që u përndoqën dhe u vranë vetëm sepse krijonin vargje dhe muzikë, vetëm sepse thonin të vërtetën.
Shehaj theksoi se mungesa e informacionit dhe harresa, ka për qëllim mohimin e krimeve të komunizmit, dhe mohimi i tyre është një krim në vetvete.
“Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk duan të dinë.
Im atë është 80 vjeç. Edhe ai, si mijëra të tjerë, do të dijë ku janë eshtrat e babait te tij.
Unë dua të di sa janë të ekzekutuarit, të zhdukurit, të burgosurit dhe të internuarit nga regjimi komunist.
Por unë nuk jam i vetmi. Sipas një anketimi të kryer në 2019, mbi 30% e shqiptarëve ka deklaruar se rrjedh nga një familje e persekutuar. Jam i bindur se secili prej tyre do të dijë të vërtetën, do që krimet e komunizmit të zbardhen dhe të mos harrohen”, tha Shehaj teksa pohoi se pikërisht kjo është arsyeja se pse ka themeluar Fondacionin Kujto.
Aty gjenden profilet e mbi 50 mijë shqiptarëve të persekutuar gjatë regjimit komunist, me emër dhe mbiemër, historitë e secilit prej tyre.
Mijëra shkrime, dokumentarë dhe dëshmi autentike dhe të panjohura.
“Një punë e madhe e cila na shërben sot, por edhe fëmijëve tanë në të ardhmen, për ta bërë të pamundur çdo tentativë mohimi të krimeve të komunizmit”, tha Shehaj.
Postimi i plotë:
Një natë homazh dedikuar viktimave të komunizmit përmes notave dhe vargjeve që na kanë lënë si dëshmi e pasuri të çmuar.
Pianistja Elida Dakoli, soprano Alisa Katroshi dhe aktorja Ema Andrea na sollën “Tingujt e Kujtesës” si një thirrje për të mos harruar krimet e komunizmit, për të thënë të vërtetën.
Kjo është arsyeja pse kemi themeluar Fondacionin Kujto.
Në Kujto.al gjejmë profilet e mbi 50 mijë shqiptarëve të persekutuar, historitë e secilit prej tyre. Mijëra shkrime, dokumentarë dhe dëshmi të panjohura.
Një punë e madhe e cila na shërben sot ne, por sidomos fëmijëve tanë në të ardhmen, që askush të mos tentatojë të mohojë krimet e komunizmit.