Rrëfehet Alfred Lela: Lashë librin që po shkruaja për Berishën për të punuar me të

Alfred Lela u prezantua sot nga Sali Berisha si drejtor i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD.

Gjatë fjalës së tij para kolegëve gazetarë, Lela tregoi arsyet se pse i është bashkuar Rithemelimit të PD-së së Berishës, duke u shprehur se sipas tij nuk mjafton vetëm të flasë për hapjen, por kur i jepet mundësia ta realizojë vetë atë.

“Libri për të cilin po fliste z.Berisha është ‘Komunikimi Politik i Berishës në 90-92’ me të cilin unë edhe jam doktoruar.

Madje mund të them se kam në duar edhe një libër tjetër gjithashtu për doktorin, por tani më duhet ta ndërpres për të punuar për doktorin dhe me doktorin. Faleminderit z.Berisha, edhe për ftesën, edhe për fjalët e mira.

Së pari, kam një përshëndetje të përzemërt për ju të dashur kolegë, që duket sikur jeni në anën tjetër, duket sikur dikush ka ndërruar krah dhe unë i bie të jem ky.

Por megjithëse mund të jemi në anë të ndryshme të kësaj gjëje, prap misioni është i përbashkët: të flasim për të vërtetën dhe ta bëjmë këtë në mënyrë sa më të drejtë. Ky besoj do të jetë misioni ynë i përbashkët.

Shumë shkurt. Pse jam unë sot këtu? Pse i bashkohem projektit të Rithemelimit të PD-së, të z. SaliBerisha. Ne që bëjmë analiza politike, kemi kohë që flasim deri në përsëritje, deri në monotoni, hapje, hapje.

Është momenti që jo vetëm të flasim për hapjen, dhe ta jetojmë atë. Nëse nuk e bëjmë atë kur na vjen mundësia, por vetëm flasim, duket sikur jemi pak hipokritë.

Dhe unë kam dashur të dal përtej kësaj hipokrizie, me aq sa do të mundem, me aq sa do të di.

Dua të them edhe atë se çfarë do të mund të komunikojmë nëpërmjet kësaj zyre shtypi dhe të Komunikimit. Do të jetë thelbi i aksionit politik të PD-së, tek kauzat që janë të shqiptarëve, që janë të të gjithë neve dhe duan të përshkruajnë sa më mirë, një vizion të përbashkët të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Dua sigurisht të mos e zgjas më shumë sepse ajo që do bëjmë do komunikojë se kush jemi dhe çfarë mund të bëjmë.

Dua të bëj edhe një sqarim sepse kam parë disa momente moskuptimi në shtyp. Unë do të jem drejtor i zyrës së Komunikimit dhe të Shtypit. Sepse është ngatërruar me zyrën e Marrëdhënieve me Publikun që e mban Jola këtu.

Ndërsa zonja Floriana Garo do të jetë zëdhënëse e Partisë, në krahune  djathtë të doktorit, një gjë që ajo s’do ta ndërronte me asgjë tjetër mesa duket.

Kështu që nuk ka duplime rolesh, ka vetëm unitet rolesh dhe punë të përbashkëta për të arritur qëllime të përbashkëta”- tha Lela.

Para se të fliste, Lela i mori mikrofonin Berishës pasi pajisja duket se nuk arrinte deri te vendi i tij.

Një moment që u kalua me batuta.

“Se të marrësh që në fillim mikrofonin tim nuk është mirë”, tha Berisha duke qeshur.