Policia në Selanik arrestoi mbrëmjen e së martës një 21-vjeçar nga Shqipëria , i cili dyshohet se është një nga dy autorët e rrahjes brutale të një 16-vjeçari pasi kishte veshur xhaketën e PAOK-ut.
Sipas informacioneve të thestival.gr, arrestimi i 21-vjeçarit u bë rreth orës 23:00 në zonën e Dyzet Kishave.
Ndaj 21-vjeçarit është ngritur një dosje për plagosje trupore si dhe për grabitje , ndërsa do të dërgohet në prokurori për ndjekje penale.
Njëkohësisht vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorit të tij.
Ngjarja
Sulmi ndaj 16-vjeçarit ndodhi pasditen e së martës, në zonën e Agios Pavlos në Selanik , kur dy persona e sulmuan në mes të rrugës.
Gjithçka ka ndodhur në orën 19.30 kur autorët e rinj kanë pikasur 16-vjeçarin duke ecur në rrugën “Michail Karaoli” dhe sipas dëshmitarëve okularë e kanë rrahur me shqelma dhe grushta pasi kishte veshur një bluzë të një grupi të ndryshëm nga ai që mbështetej nga të rinjtë që e sulmuan.
Sipas informacioneve, i mituri që u rrah kishte veshur një fanellë me shenjat e skuadrës së PAOK-ut , ndërsa nuk dihet se cilin ekip mbështesin dy personat që e rrahën.
Pasi e kanë goditur në kokë dhe trup, më pas e kanë lënë të gjakosur në asfalt dhe kanë ikur.
Njerëzit e lagjes që kanë vënë re ngjarjen dhe kanë dëgjuar zërat e të riut kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën e EKAV-it, ndërsa 16-vjeçarin e kanë dërguar në një farmaci aty pranë për të marrë ndihmën e parë.
Sipas farmacistes, viktimës i kishte rrjedhur gjak nga hunda dhe ndër të tjera kishte marrë goditje në sy, ndërsa në shpatull kishte dhimbje të forta.
16-vjeçari është transportuar me autoambulancë të EKAV-it në Spitalin e Përgjithshëm të Selanikut “G. Gennimatas” dhe gjendja e tij shëndetësore nuk ngjall shqetësim./Albeu.com/