Nëntë muaj pas ndarjes së tij nga jeta, aktori dhe regjisori Rob Reiner është nderuar me një çmim Emmy për rolin në serialin e suksesshëm “The Bear”.
Reiner, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare, u shpall fitues në kategorinë Aktori Mbështetës në një Serial Komedi, falë interpretimit të personazhit Albert Schnarr. Çmimi u akordua të dielën, më 6 shtator, gjatë mbrëmjes së dytë të Creative Arts Emmy Awards.
Të lidhura
None found
Kjo shënon fitoren e parë pas vdekjes në këtë kategori që prej vitit 1995, kur çmimi iu dha Raul Julia për performancën në “The Burning Season”.
Aktori la pas në garë Michael J. Fox, Brett Goldstein, Hamish Linklater, Christopher McDonald dhe Connor Story.
Çmimin e Reiner e mori në emër të tij prezantuesja Wendy McLendon-Covey. Sipas raportimeve, publiku e përshëndeti nderimin me një ovacion që zgjati rreth një minutë.
Ky vlerësim përbën edhe një rekord të ri brenda familjes Reiner. Rob Reiner nuk kishte marrë një Emmy për aktrim që nga viti 1978, kur u shpërblye për “All in the Family”.
Mes dy triumfeve të tij në kategoritë e aktrimit kanë kaluar 48 vite, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të babait të tij, Carl Reiner, i cili kishte 37 vite diferencë mes dy fitoreve.
Carl Reiner e fitoi Emmy-n e parë në vitin 1958 për “Caesar’s Hour”, ndërsa të dytin e mori në vitin 1995 për “Mad About You”. Babë e bir e vendosën këtë rekord në të njëjtën kategori: Aktori i Ftuar në një Serial Komedi.
Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michelle Singer Reiner, u gjetën të vdekur në banesën e tyre në Kaliforni në dhjetor të vitit të kaluar.
Pas kësaj ngjarjeje, djali i tyre 32-vjeçar, Nick Reiner, u arrestua dhe u akuzua për vrasjen e dyfishtë. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm.
Çmimi i dhënë pas vdekjes i shtohet trashëgimisë së gjatë të Rob Reiner në televizion dhe kinema, ndërsa roli i tij në “The Bear” shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e familjes Reiner.
