Rivalizon Berishën, Ibsen Elezi: Albana Vokshi dhe Edi Paloka janë hajdutë votash

Ibsen Elezi, kundërshtari i Sali Berishës për kryetarin e Partisë Demokratike ka hedhur akuza të forta ndaj Albana Vokshit dhe Edi Palokës.

I ftuar në Radar Informativi, Elezi tha se ata kanë vjedhur vota në PD.

“Albana Vokshi, Edi Paloka këta janë të deklaruar që kanë vjedhur vota. Brenda PD, se andej nuk i lë Edi Rama të vjedhin. Ne e kemi deklaruar vjet edhe më parë se zgjedhjet për Bashën u manipuluan procesverbalet. Nxori edhe kur ishte kandidate Edith Harxhi.

Ne akuzuam të gjithë kupolën për aktin e manipulimit të proces. Edi Paloka doli me burrninë e vet që tha kam manipuluar. Dhe u kanë thënë edhe të tjerëve të manipulojnë”, u shpreh ai.

Pikën e thyerjes me Sali Berishën, Elezi tregon se është e hershme, kur ish-kryeministri vendosi t’ja besojë partinë Lulzim Bashës në një proces të diskutueshëm.

“Pika e thyerjes me Berishën ka qenë kur theu statutin dhe atëherë ishte vendim personal i Olldashit që të mos e shtynte debatin. Unë i kam thënë zotit Olldashi që duhet të kërkosh mbledhjen e kuvendit. Basha u duk qartë që në organizimin e parë të partisë po e shkatërronte PD. Unë kam qenë ndër të parët që kanë ngritur zërin”, u shpreh ai.

Për Elezin, Berisha tradhtoi “11 Dhjetorin”. Sipas tij, ish-kryeministri premtoi një parti me rregulla dhe nxitoi të ndërtojë kupolën e tij. Demokrati shton se Berisha nuk mund ta sjellë PD-në në pushtet me këtë metodologji që ndjek.

“Gafa e Sali Berishës është se tradhtoi 11 Dhjetorin. Duke premtuar një parti me rregulla dhe u ndërtua të ndërtojë kupolën e vet. Kjo është vetëvrasje. Se ti mund të marrësh partin në dorë, por ke humbur në opinion. Ai nuk mund të tregojë se ndërton një metodologji për zgjedhjet.

Të thuash se është lider shpirtëror që mbron një kategori njerëzish dhe që kanë manipuluar votat. Nuk është ideja që zgjodhi Edi Palokën, por vrau opozitarizmin. Të thuash se Rama manipulon dhe të vendosësh këtë kupolë manipuluese në krye s’të beson më njeri. E kam parë si detyrim për të kandiduar. Sali Berisha nuk mund ta sjellë PD në pushtet me këtë metodologji. Nuk mund të realizojë as bashkimin”, u shpreh Elezi./abcnews.al/


Shtuar 9.05.2022 20:23