Riparoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti, dënohet për ndërtim pa leje poetja Mimoza Ahmeti

Mimoza Ahmeti, poetja e dashur për të gjithë, autorja e teksteve në këngë midis tyre edhe “Në mbretërinë e Xhuxhave”, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës u dënua nga gjykata për ndërtim të paligjshëm shkruan Top Channel.

Pa marrë parasysh as profilin e saj dhe as faktin që banesa e poetes së mirënjohur ishte dëmtuar nga tërmeti, gjykata urdhëroi që Mimoza Ahmeti të kryejë punë me interes publik për 40 orë.

Poetja e njohur Mimoza Ahmeti u detyrua të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës për të dëgjuar edhe njëherë rezultatet e hetimit nga prokurori që e kishte përballë. Gruaja e vargjeve të njohura dhe e këngës kujtoi edhe njëherë se shtëpia që kishte në Petrelë iu dëmtua nga tërmeti dhe se në këto kushte ajo u duhet të ndërtonte një banesë të re.

Por pavarësisht provave, fjala e poetes nuk preku askënd, ashtu sikurse ndodhi më herët edhe me këngëtarin Bojken Lako, dënuar për ndërtim pa leje.

Në karrigen e të akuzuarit presin për t’u ulur për të njëjtën vepër penale 30 shtetas të tjerë, emrat e të cilëve u dorëzuan si të pandehur nga prokuroria më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit. Po për vitin 2022, janë shpallur fajtorë në Tiranë për ndërtim të paligjshëm 15 shtetas, që të gjithë qytetarë të thjeshtë, poetë e këngëtarë. Por asnjëri nuk është ndërtues i njohur.


Shtuar 15.11.2022 20:07