Në katër muajt e parë të këtij viti, në vend kanë hyrë 1.07 milionë shtetas të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia ishte në kulmin e vet dhe lëvizjet vijonin të ishin të kufizuara, hyrjet e të huajve në vend janë rritur me 42%.
Rritja është ndikuar nga shtimi i ndjeshëm i hyrjeve nga të gjitha shtetet, me përjashtim të Kosovës, që ra me gati 14%. Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, teksa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin pothuajse të paralizuara. Shtetasit nga Italia pothuajse u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan, nga Anglia u gjashtëfishuan.
Turizmi po i afrohet ndërkohë niveleve të parakrizës, teksa mbërritjet e të huajve ishin vetëm 3% më të ulëta sesa katërmujori i parë i vitit 2019, që dei tani ka qenë viti më i mirë historik për turizmin. Në krahasim me periudhën e parapandemisë, në vend kanë hyrë më shumë shtetas italianë, anglezë gjermanë dhe nga Kosova. Pesha e Kosovës ka rënë në katërt muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e hyrjeve më të pakta nga shteti fqinjë dhe rritjes së ndjeshme të turistëve nga Europa. Për periudhën janar-prill 2022, shtetasit nga Kosova zinin 31% të totalit, nga 50% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2022, janë 832.920. Krahasuar me Prill 2021, ky tregues rezulton me një rritje 78,6%. Në Prill 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 402.051. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 66,8%.
Gjatë katërmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 13,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021
Pothuajse dyfishohen dhe daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022, janë 834.528 duke shënuar një rritje me 85,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022 janë 449.294. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 2 herë. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Prill 2022, janë 385.234. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 75,5%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katër muajve të parë të 2022, është 1.502.984 duke u rritur 52,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ MONITOR