Pas rreth shtatë orësh pune intensive, është hapur për qarkullim segmenti i bllokuar i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u mbyll përkohësisht pasi trasesë iu derdhën qindra metra kub gurë dhe dhe, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbor nga shpati i kodrës.
Shpati ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të trasesë së re rrugore, në kuadër të projektit të njohur si Koridori VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” sh.p.k.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit të automjeteve në të dy drejtimet.
Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe paralajmërimet, veçanërisht në segmentet ku vijojnë punimet.
Hapja e rrugës erdhi pas një ndërhyrjeje emergjente që synoi garantimin e sigurisë së udhëtarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal në këtë aks të rëndësishëm lidhës mes Librazhdit dhe Prrenjasit.
