Rezerva valutore e vendit po qëndron pranë niveleve më të larta historike edhe gjatë këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik vlera e mjeteve të rezervës arriti në 5.009 miliardë Euro, në rritje me 27.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e muajit korrik është shumë afër rekordit historik të rezervës, që ishte regjistruar në shkurt të këtij viti, në vlerën e 5.015 miliardë Eurove.
Banka e Shqipërisë po adopton një strategji të zgjerimit gradual të rezervës nëpërmjet blerjes së valutës dhe sidomos të Euros në tregun e brendshëm valutor. Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, parashikohet që këtë vit të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë Eurove.
Një rezervë e lartë valutore vlerësohet nga ekspertët si instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.
Duke qenë një ekonomi me pozicion të jashtëm negativ, sidomos në mallra, Shqipëria është e ekspozuar ndaj situatave kur sigurimi i valutës së nevojshme mund të jetë i vështirë. Për këtë arsye, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të financuar sigurimin e importeve, për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valuor.
Një nga parametrat bazë për të përcaktuar madhësinë e rezervës valutore është aftësia për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa aktualisht rezerva valutore e vendit mbulon pothuajse tetë muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.
Rezerva valutore këtë vit po orientohet gjithnjë e më shumë drejt investimit në tituj. Vlera e këtyre instrumenteve në fund të korrikut arriti në 3.61 miliardë Euro, pothuajse dy herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Pesha e portofolit të titujve kundrejt vlerës totale të mjeteve të rezervës valutore ka arritur në pothuajse 72%, nga 46% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zhvendosja e ndjeshme drejt investimeve në tituj mund të shpjegohet me rritjen e ndjeshme të yield-eve të instrumenteve financiarë në pjesën e parë të këtij viti dhe synimin për të rritur kthimin nga rezerva valutore.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miraton parimet dhe kriteret cilësore për zhvillimin e aktivitetit të administrimit të rezervës valutore. Në zbatim të këtyre kritereve, Komiteti i Investimit miraton treguesit sasiorë dhe ndjek përmes raportimeve periodike vënien në zbatim të politikës së investimit, përveçse miraton edhe emrat e lejuar (emetuesit) në të cilët investohet rezerva valutore.
Këto emra përfshijnë qeveritë e SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës, të cilat përgjithësisht janë të renditura të paktën A-, ndërsa për qeveritë e Eurozonës renditja minimale e pranuar është BBB-. Në emrat e lejuar për investim përfshihen dhe agjenci apo institucione të lidhura me qeveritë, institucione shumëpalëshe apo të tjera subjekte të renditura të paktën AA- (për banka/institucione të tjera financiare renditja minimale e pranuar është A-). /Monitor