Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) njofton se, për shkak të motit të keq që ka prekur qytetin e Vlorës, energjia elektrike është ndërprerë në disa zona.
OSSH njofton se kjo masë është ndërmarrë për të evituar problematika të shtuara, dhe energjia elektrike do të ri-lidhet menjëherë sapo të largohet uji dhe të kontrollohen kabinat.
“Sikurse ishte parashikuar, vendi ynë është goditur nga kushte atmosferike të këqija, duke u karakterizuar me reshje të dendura shiu dhe shkarkesa atmosferike. Vlora është zona më e prekur, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në shumë zona.
Për të evituar probleme të mëtejshme në rrjetin elektrik për shkak të prezencës së ujit, ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) në Vlorë kanë marrë masa duke stakuar disa fidera si masë sigurie deri në normalizimin e situatës. Kjo do të shkaktojë mungesë energjie deri në momentin e largimit të ujit dhe kontrollit të kabinave”, njofton OSSH.
OSSH thekson po ashtu se, ekipet e gatishmërisë do të jenë në terren për të rikthyer energjinë sa më shpejt. OSSH kërkon mirëkuptimin e banorëve për situatën e krijuar dhe ndihmën e tyre gjatë këtij procesi.