Kolegët republikanë të ish-presidentit amerikan Donald Trump dolën në mbrojtje të tij të martën, duke kërkuar shpjegime për kontrollin e FBI-së në shtëpinë e tij Mar-a-Lago në Florida, ku agjentët kërkuan dokumente të klasifikuara që ai i mori nga Shtëpia e Bardhë në fund të mandadit të tij në janar të vitit 2021.
Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy u zotua të hapë një hetim nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët në fillim të vitit të ardhshëm, që sondazhet sugjerojnë se është një mundësi e fortë politike.
“Kam parë mjaft”, tha ligjvënësi McCarthy në një postim në Twitter. “Departamenti i Drejtësisë ka arritur në një gjendje të patolerueshme politizimi. Pasi republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ne do të bëjmë një hetim të menjëhershme të këtij departamenti, do të ndjekim faktet dhe nuk do të lëmë gur pa lëvizur.”
Ai paralajmëroi Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland, kreun e Departamentit të Drejtësisë, duke thënë “ruani dokumentet tuaja dhe hape kalendarin tuaj” për të dëshmuar në një hetim mbi këtë çështje.
Mike Pence, i cili shërbeu në postin e nënpresidentit në kohën kur Donald Trump ishte president, tha: “unë ndaj shqetësimin e thellë të miliona amerikanëve për kontrollin e paprecedentë të rezidencës personale të Presidentit Trump. Asnjë ish-president i Shteteve të Bashkuara nuk i është nënshtruar ndonjëherë një bastisjeje në rezidencën e tyre personale, në historinë e Amerikës”.
Zoti Pence tha se kontrolli i së hënës në pronën e zotit Trump në buzë të oqeanit Atlantik “minon besimin e publikut në sistemin tonë të drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Garland duhet t’i japë llogari të plotë popullit amerikan se pse u ndërmor ky veprim dhe ai duhet ta bëjë këtë menjëherë”.
Ligjvënësit e tjerë republikanë e quajtën kontrollin një shpërdorim të pushtetit, megjithëse kontrolli ishte i autorizuar nga gjykata dhe ka të ngjarë të jetë miratuar në nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë. Ende nuk dihet se çfarë roli ka luajtur prokurori Garland në këtë çështje.
Ligjvënësja konservatore Marjorie Taylor Greene shkruajti në Twitter “Anuloni fondet për FBI-në!”, duke përdorur të njejtat fjalë që disa ligjvënës liberalë përdorën për policinë në përgjigje të akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga departamentet e policisë lokale kundër pakicave.
Gazetari konservator i kanalit Fox News, Sean Hannity, një aleat për një kohë të gjatë i zotit Trump, u tha miliona shikuesve të tij të hënën mbrëma se, “nëse jeni të lidhur me zotin Donald Trump në ndonjë mënyrë, bëni përgatitjet e duhura sepse ata do t’ju ndjekin me fuqinë e plotë të qeverisë federale.”
Ndërkohë, demokratët nuk bënë shumë komente mbi kontrollin e pronës së zotit Trump dhe Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden nuk kishte njohuri paraprake për operacionin e FBI-së, i cili zgjati për orë të tëra.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha: “Ne besojmë në sundimin e ligjit. Asnjë person nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara, as një ish-president i Shteteve të Bashkuara. “
Ndërkohë, ish-presidenti Trump e shfrytëzoi kontrollin e shtëpisë së tij si një shans për të mbledhur më shumë fonde për një kandidim të mundshëm presidencial në zgjedhjet e vitit 2024.
Në një mesazh me celularë dërguar mbështetësve të martën në mëngjes, Trump deklaroi “MAR-A-LAGO u bastis”. Ai tha: “Është koha që ÇDO PATRIOT të ngrihet kundër Gjuetisë së pakontrolluar të Shtrigave nga e Majta dhe kundër persekutimit politik të Presidentit Trump!”
Ai u kërkoi mbështetësve të kontribuonin me shuma mes 45 dhe 5,000 dollarësh.
Ish-presidenti Trump mund të zbulojë përmbajtjen e urdhrit për kontrollin e pronës së tij, por ende nuk e ka bërë këtë. Ai ia dorëzoi 15 kuti me materiale të ndryshme, disa prej tyre me dokumente sekrete, Administratës Kombëtare të Arkivave në janar, një vit pas largimit nga detyra.
Por FBI mori urdhrin e kontrollit për të kërkuar më shumë dokumente dhe mori më shumë materiale pasi kontrolloi zyrën e zotit Trump dhe hapi kasafortën e tij.
Akti i Regjistrit Presidencial, një ligj i vitit 1978 thotë se të gjitha të dhënat presidenciale janë në pronësi të publikut dhe duhet të transferohen automatikisht nën kujdestarinë e Adminstratës Kombëtare të Arkivave menjëherë pas largimit të Presidenti nga detyra. Të gjitha bibliotekat dhe muzetë presidenciale janë pjesë e Administratës Kombëtare të Arkivave, megjithëse ish-presidenti Trump nuk ka ndërtuar një objekt të tillë dhe ka treguar pak interes për ta bërë këtë.
Zoti Trump mund të përballet me akuza penale për mosdorëzimin e menjëhershëm të dokumenteve sekrete pas largimit nga detyra, megjithëse një veprim i tillë do të ishte një gjë e rrallë.
Ai gjithashtu përballet me një hetim për rolin e tij në nxitjen sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për një skemë të disa prej avokatëve të tij për të zëvendësuar elektorët që mbështesnin zotin Biden me njerëz që mbështesnin zotin Trump.
Përveç kësaj, Donald Trump po përballet me një hetim në shtetin jugor të Xhorxhias, ku i kërkoi një zyrtari të zgjedhjeve shtetërore që t’i “gjente” votat e mjaftueshme, më shumë se 11,000, që i duheshin për të përmbysur fitoren e zotit Biden në këtë shtet./VOA