Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për debatin mes kryeministrit Rama dhe politikanit populist britanik, Nigel Farage, sa i përket shqiptarëve të burgosur në Britaninë e Madhe.
Haxhiu tha se ky është një debat mes një intelektuali si Rama dhe një mashtruesi si Farage, i cili shpesh stigmatizon dhe shënjestron komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe.
“Farage është tabloidik dhe realisht ai ndërtoi rrëfimin e mashtrimit për Brexit. Ai ishte populisti, për arsye se një kohë të gjatë politika britanike nuk ka patur mashtrues në jetën politike. Meqenëse beteja e tij, menjëherë pasi u bë Brexit, ishte humbje, për arsye se e panë britanikët se çfarë humbën nga fakti se ikën nga BE, atëherë Farage ka qenë në marxhinat e një lidershipi. E krijoi një moment populizmi si karburant tabloidik për të folur për emigrantët. Në një moment kur Britania e Madhe po bën përpjekje të gjejë një strehë në të gjithë vendet e Ballkanit për emigrantët që janë atje.
Cili është ky debat? I një mashtruesi dhe një intelektuali. Rama nuk është hera e parë që bën përpjekje për ta mbrojtur shqiptarin jashtë Shqipërie. E ka krijuar njëfarë guximi intelektual, për ta ndërtuar një rrëfim për shqiptarin. Në një pjesë të reagimit të tij, përmend profesionet e njerëzve. Jo për herë të parë ka përmendur Lea Ypin, Dua Lipën dhe të tjerë, që janë në Oxford, LSE, Edinburgh, ose anëtarja e Akademisë së Shkencave, Lea Ypi, që është ajo që nuk ka patur njohje, por e ka bërë puna e saj të jetë anëtarë e Akademisë së Shkencave. Farage nuk i di fare këto, di vetëm kriminelët. Profesionet e shqiptarëve janë 100 herë më të rëndësishme se kriminelët. Kriminelët kur kapen shkojnë në burg. Një pjesë e tyre, e kanë humbur pas Brexit, për shkak të jetës më të varfër në Greqi dhe vende të tjera të BE, menduan të gjëjnë strehë në Britani. Një pjesë e tyre janë të burgosur për falsifikime, nuk quhen kriminelë, sepse krimi ka përkufizimet e veta.
Arsyeja për të gjetur një vend më të mirë, është dëshirë e njeriut për ti dhënë fëmijëve të tij dhe vetes një shpresë tjetër.
Nuk ka qenë debat i një kryeministri, por nga gjuha e Ramës, ai ka një shpëfillje intelektuale ndaj Farage dhe e konsideron, si njeri me karburant tabloidik, që është sentenca më e bukur që i kushtohet një njeriu si Farage. Për ata që nuk e njohin dhe mendojnë se Britania nuk prodhon idiotë të dobishëm, ja që ai ka qenë për një kohë të gjtë idiot i padobishëm”, deklaroi Haxhiu.