Rënia e qeverisë në Malin e Zi, DW: Hapet rruga për emërimin e një kryeministri shqiptar

Kuvendi në Podogircë pas disa orë debatesh votoi mocionin e mosbesimit për qeverinë 42 të Malit të Zi, kryeministër i së cilës ishte Zdravko Krivokapiq.

Për rrëzimin  e qeverisë votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11. Gjithsej  votuan 54 deputetë. Pro votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis, ndërkaq deputetët nga Fronti Demokratik, ata të Lëvizjes për ndryshime dhe deputetët e Partisë Socialiste popullore nuk ishin të pranishëm gjatë votimit.

Votimi i mocionit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re. Mocioni i mosbesimit u iniciua nga Lëvizja URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.  Ai tha se pas rënies së qeverisë së kryeministrit Krivokapiq do të fillojnë bisedimet për formimin e pushtetit të ri ekzekutiv dhe se janë disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Në seancën e kuvendit u dëgjuan akuza të rënda në adresë të deputetëve të URA-s të cilët u akuzuan për tradhëti. Për Demokratët  ajo që iniciuan ata është në ”kundërshtim me verdiktin e qytetarëve të shprehur më 30 gusht të vitit 2020. Nënkryetari i URA-s,  Millosh Konatar  tha, se të shtunën (5.02) do të fillojnë bisedimet bilaterale për formimin e qeverisë së re, fillimisht me përfaqësuesit e shumicës, e më pas me subjektet e tjera në parlament. Konatar, numri dy i partisë së Dritan Abayoviq, u tha gazetarëve se nuk është folur se kush do të jetë mandatari  i qeverisë së re,  por ai do të dëshironte që në postin e kryeministrit të jetë Dritan Abazoviq.

Për deputetët e DPS –it  qeveria e Krivokapiqit ka bërë ç’mos që të shkatërrojë interesat shtetërore të Malit të Zi. Gjatë momentit të votimit të mocionit ndaj qeverisë në rrugët e Podgoricës, veçanërisht pranë ndërtesës së parlamentit,  vëreheshin forca të shtuara policore. Megjithëse situata  duket e qetë interesimi  i ekipeve televizive dhe  gazetarëve ishte shumë i madh, ndaj pritet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të nismëtareve të votëbesimit, respektivisht të Dritan Abazoviq. Menjëherë pas rënies së qeverisë në Podgoricë dhe në disa qytete të tjera të Malit të Zi u festua me fishekzjarrë dhe parulla “e viva Montegero” (Rroftë Mali i Zi)./dw


Shtuar 5.02.2022 11:16