Rekomandimi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, Osmani takon sot krerët e partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë ditën e sotme një takim me të gjitha partitë politike.

Takimi do të jetë në kuadër të shtyrjes së zgjedhjeve lokale që po kërkohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Partitë opozitare nuk po bien dakord me këtë shtyrje të zgjedhjeve dhe po e justifikojnë disi qëndrimin e tyre me arsyetimin se edhe Kurti kur ishte në Opozitë nuk pranonte shtyrjen e zgjedhjeve.

Sipas letrës të cilën Osmani u ka dërguar partive politike thuhet se ky takim do të mbahet për të diskutuar opinionin dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”, thuhet në letrën e presidentes.

Takimi do të mbahet sot, me fillimin nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve.

“Meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet ndër të tjera në letrën e IKSHPK-së./albeu.com