Bashkia Cërrik ka nisur zyrtarisht konsultimin publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Procesi do të zgjasë 60 ditë dhe u jep qytetarëve mundësinë të shprehin qëndrimet dhe propozimet e tyre për hartën e re territoriale.
Kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka, e bëri të ditur nisjen e konsultimeve përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u kërkoi banorëve të angazhohen në mënyrë aktive. Sipas tij, reforma lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e komunitetit dhe nuk duhet të trajtohet thjesht si një përplasje politike.
Të lidhura
None found
Doka bëri me dije se më 3 gusht 2026, Bashkia Cërrik ka administruar shkresën nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë. Me këtë dokument është formalizuar nisja e periudhës 60-ditore të konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale.
Gjatë ditëve në vijim pritet të zhvillohen takime me qytetarët në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative që përfshihen në bashki. Informacioni për datat, oraret dhe ambientet ku do të mbahen takimet do të publikohet së shpejti.
Sipas kryebashkiakut, diskutimi nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja nëse Bashkia Cërrik do të vijojë të ekzistojë si njësi më vete. Fokusi, thekson ai, duhet të jetë te përfitimet konkrete që çdo model i ri territorial mund t’u sjellë banorëve.
Doka kërkon që qytetarët të marrin informacion të plotë përpara se të japin opinionin e tyre. Për këtë arsye, konsultimet duhet të shoqërohen me pyetje dhe përgjigje të qarta lidhur me ndikimin e reformës në jetën e përditshme.
Ndër temat që Bashkia Cërrik synon të vendosë në diskutim janë mundësia që vijimi i saj si njësi e veçantë të sigurojë më shumë zhvillim ekonomik, investime dhe shërbime më cilësore, si dhe përfitimet konkrete që mund të kenë banorët nëse zbatohet një tjetër model organizimi.
Po ashtu, konsultimet do të trajtojnë mënyrën se si do të përfaqësohet Cërriku në strukturat vendimmarrëse, ndarjen e fondeve publike dhe investimeve, si dhe çështjen nëse njësitë e reja do të pajisen me kompetenca më të gjera apo ndryshimet do të mbeten vetëm në nivel administrativ.
“Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, shprehet Doka, duke bërë thirrje që debati të zhvillohet me qetësi, respekt dhe përgjegjshmëri.
Kryebashkiaku i fton banorët të marrin pjesë në çdo takim, të ngrenë pyetjet e tyre, të paraqesin propozime dhe të dëgjojnë argumentet e palëve. Ai garanton se qëndrimi zyrtar i Bashkisë Cërrik, në përfundim të procesit, do të hartohet duke u bazuar në mendimet dhe zërin e qytetarëve.
Ndërkohë, administrata vendore do të vijojë punën normalisht gjatë periudhës së konsultimit. “Kemi 500 punë për të bërë”, shkruan Doka, duke theksuar se reforma nuk do të pengojë vazhdimin e investimeve dhe ofrimin e shërbimeve për komunitetin.
