Rasti i Ballukut, “dhimbje koke” për Ramën/ New York Times: Diella u gjenerua për të luftuar korrupsionin, por ata që e krijuan përballen me paradoksin e korrupsionit

Gazeta amerikane, New York Times, i ka kushtuar një shkrim Ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale “Diella”, e prezantuar nga qeveria shqiptare si ministrja e parë në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila synon të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, ndërsa vendi përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas NYT, Diella është kthyer në simbol të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për transparencë dhe reformë në prokurimet publike, por projekti po përballet me një paradoks serioz. $

Të lidhura

None found

Drejtuesit e agjencisë shtetërore që zhvilloi sistemin janë vënë nën hetim për manipulim të kontratave publike.

New York Times, thekson se korrupsioni në Shqipëri mbetet i përhapur, pavarësisht disa përparimeve të raportuara nga Bashkimi Evropian.

Hetimi përfshin Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, institucionin që administron edhe platformën digjitale ku funksionon Diella.

Dy zyrtare të larta janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa ende nuk ka akuza formale.

“Muajin e kaluar, prokurorët njoftuan se drejtuesja e agjencisë dhe zëvendësja e saj u vendosën në arrest shtëpie, të dyshuara për lidhje me një organizatë kriminale që manipulonte tenderët përmes intimidimit. Ende nuk janë ngritur akuza formale dhe kryeministri Rama ka deklaruar se do të presë zhvillimet”, shkruan gazeta.

Më tej në shkrimin e saj, “NYT” i referohet edhe rastit të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për keqpërdorim të fondeve shtetërore në projekte të mëdha infrastrukturore.

Sipas gazetës amerikane kjo “është bërë një dhimbje koke e veçantë politike për Ramën, i cili po përballet me kërkesa që asaj t’i hiqet imuniteti që i jepet si anëtare e Parlamentit, në mënyrë që akuzat kundër saj të mund të vazhdojnë”.

Gazeta ka kontaktuar me kryeministrin, por sqaron se; “Rama nuk pranoi të komentonte, kur u pyet nëse e mbështeste heqjen e imunitetit të saj. As nuk pranoi të diskutonte kundërshtimin politik që është rritur me akuzat në rritje për korrupsion që nxitën protestuesit me bomba shpërthyese të bënin thirrje qeverisë së tij të jepte dorëheqjen”.

Ndërkohë ekspertë të cituar nga NYT, vlerësojnë se ndikimi real i Diellës në uljen e korrupsionit është i vështirë të matet, por fakti që hetimi ndaj institucionit zhvillues po vijon pa ndërhyrje politike shihet si një sinjal pozitiv.

 


Shtuar 27.01.2026 15:04