“Rasputini i Putinit”, kush e frymëzon presidentin rus për të sunduar Europën?

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë frymëzuar nga shkrimet e një “mistiku të çmendur” neo-nazist të njohur si “Rasputini i Putinit” ose “Truri i Putinit”. Mendimtari rus, Aleksandr Dugin, bëri thirrje për një pushtim të Ukrainës dhe beson thellësisht se Moska ka të drejtën të sundojë mbi të gjithë Evropën dhe Azinë.

Pikëpamjet e mistikut Dugin

I quajtur filozof, analist politik dhe fashist, Dugin mendohet se ka ndikim në Rusinë e Putinit dhe botëkuptimi i tij besohet se ka ndikuar në planin për të pushtuar Ukrainën. Shkrimet e Dugin, të cilat janë kërkuar t’u lexohen ushtarëve rusë, proklamojnë idenë se Ukraina duhet të jetë pjesë e Rusisë.

Ndër të tjera, ai kërkon që Moska të kontrollojë gjithçka “nga Vladivostok në Dublin”. Kjo nënkupton sundimin nga lindja e largët e Rusisë, deri në Evropën Perëndimore. Ky padyshim është një vizion rrëqethës i asaj që mund të vijë, teksa tmerret brutale vazhdojnë të shkatërrojnë qytete dhe të vrasin civilët në Ukrainë.

Aleksandr Dugin besohet se ka një ndikim të fshehtë në politikën ruse – ashtu si dikur Rasputini – dhe idetë e tij madje dyshohet se kanë ndikuar drejtpërdrejt te Putini. Aktualisht, ai është bërë një figurë më e tërhequr nga jeta publike, por në vitet 1990, ndërsa Putin po ngjitej në radhët e elitës politike të Rusisë, Dugin ishte një figurë me ndikim të thellë në formësimin e gjeopolitikës ruse.

Kush është Aleksandr Dugin?

I lindur në Moskë në vitin 1962, Dugin filloi të shkruante në fund të viteve 1980, teksa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej. Ai është i famshëm për librin e tij të vitit 1997, “Themelet e gjeopolitikës”, i cili paraqet ideologjinë ultranacionaliste dhe neofashiste të Neo-Euroazianizmit.

Sipas kësaj pikëpamje, bota përbëhet nga “fuqitë tokësore” dhe “fuqitë detare”, dhe se kombi i madh i Rusisë duhet të ushtrojë ndikimin e tij mbi të gjithë Evropën dhe Azinë. Misticizmi i Dugin vjen nga besimet në të drejtën hyjnore dhe te legjendat e lashta për Atlantidën dhe qytetërimin mitik Hiperborea. Ai beson se Rusia është rimishërimi i “hiperboreanëve” të lashtë, të cilët qëndrojnë në kundërshtim me “atlanteanët” e ditëve moderne që supozohet të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marlene Laruelle, Drejtoreshë e Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike në Universitetin George Washington, është e mendimit se lufta aktuale në Ukrainë i paraqet Dugin mundësi të reja për t’u afruar sërish me pushtetin.
“Lufta mund t’i japë atij një fushë të re ndikimi. Regjimi i Putinit ka bërë një kthesë ideologjike drejt nacionalizmit dhe represionit, dhe kjo mund të paraqesë mundësi të reja për Dugin. Suksesi i ardhshëm i Duginit, varet nga pasuria e mbrojtësit të tij, biznesmenit rus Konstantin Malofeev. Konteksti i ri i luftës mund t’u japë të gjithë sipërmarrësve nacionalistë me ndikim si Malofeev qasje të re në disa nga korridoret e pushtetit. Mund të jetë më e lehtë për Dugin që të depërtojë sërish në Kremlin. Dugin është një fashist i cili beson në nevojën e rigjenerimit të kombit, përmes dhunës dhe luftës. Ai beson në ringjalljen e Rusisë si një superfuqi euroaziatike. Kjo ide e një “njeriu të ri” që do të dalë nga konflikti, është ideja kryesore e fashizmit klasik. Dugin ka përdorur në kopertinën e librit të tij të vitit 1997, “Themelet e gjeopolitikës”, “Simbolin e Kaosit”, një simbol modern okultist, i përdorur gjithashtu nga e djathta ekstreme. Ky libër kërkohej të lexohej në disa akademi ushtarake ruse. Dugin promovon ide të një perandorie panevropiane, identiteti arian dhe neopaganizmit, të gjitha të përziera me kishën ortodokse ruse.”

Andreas Umland, analist në Qendrën e Stokholmit për Studimet e Evropës Lindore, pajtohet me Laruelle se ndikimi i Dugin në Rusinë moderne është ekzagjeruar, por thotë se ka arsye për të besuar se ai ka ushtruar njëfarë ndikimi në politikën e Putinit.

“Ajo që Putini po bën tani në Ukrainë dhe mënyra sesi flet për fqinjin e Rusisë, tingëllon si Dugin në vitet 1990. Dugin është serioz kur flet për një “perandori të ndikimit” nga Vladivostok në Dublin. Ideja e tij është që i gjithë kontinenti euroaziatik duhet të jetë një superperandori e madhe, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën. Ai beson se i gjithë ndikimi amerikan duhet të largohet nga Evropa dhe se Britania e Madhe, si një vend evropian anglishtfolës, duhet të ndahet nga Evropa. Ideologjia e Duginit lidh veçori të satanizmit, paganizmit, krishterimit ortodoks rus dhe fashizmit.

Andreas Umland, analist në Qendrën e Stokholmit për Studimet e Evropës Lindore

Në qendër të teorisë së Perandorisë Euroaziatike të Dugin-it është një ide shumë më e vjetër, e zhytur në të kaluarën cariste të Rusisë, e njohur si Novorossiya, ose Rusia e Re. Novorossiya u përdor nga regjimi carist në shekullin e 18-të, kur Ukraina jugore dhe lindore, si dhe Krimea, u pushtuan nën regjimin e Katerinës së Madhe.

Dugin, një figurë pak e njohur në Rusi në vitet 1980, filloi të botojë libra dhe pamflete. Në atë kohë, ai ishte i lidhur me akademitë ushtarake. Aftësia e tij për të folur anglisht dhe gjuhë të tjera joruse e bëri atë një figurë të rëndësishme edhe jashtë Rusisë, ndaj ai krijoi lidhje me të djathtën ekstreme në Evropë.

Në vitin 1993, së bashku me ish-disidentin dhe autorin sovjetik, Eduard Limonov, Dugin themeloi Partinë Kombëtare Bolshevike. Flamuri i partisë përmbante çekiçin dhe draprin nga Bashkimi Sovjetik, por rrethin e bardhë në një sfond të kuq nga flamuri nazist. Ashtu si flamuri i tyre përfaqësonte bashkimin e së majtës dhe së djathtës ekstreme, po ashtu Dugin dhe Limonov kërkuan të lidhnin fashistët dhe komunistët.

Mirëpo trajektoret dhe botëkuptimet e tyre politike u ndanë në fund të viteve 1990, pasi Limonov u bë kritik ndaj Putinit dhe Rusisë së re. Dugin mbeti pro Putinit gjatë gjithë kohës, duke mbështetur politikën e jashtme të presidentit të ri. Megjithatë, në fund të viteve 2000, Dugin u bë një figurë më margjinale, edhe pse, teorikisht, idetë e tij ishin bërë një rrymë kryesore politike.

Ai vazhdon të flasë në mbështetje të Putinit, duke e paraqitur veten si frymëzimi pas planeve të Putinit për zgjerimin e ndikimit rus. Ndikimi i tij në politikën ruse, por dhe pamja e tij fizike, portreti, sytë depërtues, kanë bërë që ai shpesh të krahasohet me Rasputinin, këshilltarin famëkeq të Carit të fundit të Rusisë, Nikolla II. Nëse ai është një figurë e ngjashme me filozofin Rasputin, është ende një çështje për debat.

Kush ishte Rasputini?

I përshkruar si “makina më e madhe e dashurisë në Rusi” nga Boney M, “Murgu i çmendur” mbetet një figurë e diskutueshme edhe sot e kësaj dite.
Lindur nga fshatarë analfabetë në një fshat të largët siberian në vitin 1869, në moshën 18-vjeçare, ai u martua me Praskovya Dubrovina dhe patën shtatë fëmijë. Në vitin 1897, ai nisi të lidhej më shumë me besimet fetare dhe besëtytnitë, aq sa nisi të pretendonte se mund të shëronte të sëmurët.

Pasi fitoi famë për këtë dhunti, ai u thirr nga Cari dhe gruaja e tij, e cila besonte se Rasputini mund të ndalonte gjakderdhjet e djalit të saj, Alexei. Sapo u përfshi në sërën e aristokracisë ruse, sjellja dhe higjiena e tij, skandalizuan shoqërinë e lartë ruse.
Njëherë Rasputini i dehur u mburr edhe për marrëdhëniet intime që ai pretendonte që kishte pasur me gruan e Carit. Kur iu kërkua t’ia shpjegonte këtë gjë carit Nikolla II, ai tha: “Pavarësisht mëkateve të mia të tmerrshme, unë jam një Krisht në miniaturë”. Ai i mbijetoi të paktën një atentati, por më në fund u vra në vitin 1916 nga fisnikët rusë të kërcënuar nga afërsia e tij me fronin.