Në raportin e progresit të Shqipërisë të publikuar nga MONEYVAL (folloë-up report) në datë 21 Qershor 2023 evidentohet se Shqipëria ka përmirësuar masat në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
Sipas këtij raporti Shqipëria ka përmirësuar përputhshmërinë e kuadrit ligjor me dy rekomandime të tjera të FATF (Task Forca e Veprimit Financiar), Rekomandimin 25 “Transparenca dhe pronësia përfituese e organizimeve ligjore” dhe Rekomandimin 28 “Rregullimi dhe mbikëqyrja e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jo financiare”. Shqipëria është rivlerësuar në këto dy rekomandime duke rritur vlerësimin nga “pjesërisht te përputhur” në “gjerësisht te përputhur”.
Shqipëria ka marrë masa shtesë duke adresuar mangësi të rëndësishme në kuadrin ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në lidhje me kujdestarët e trusteve si dhe rritën efektivitetin në administrimin e informacionit mbi pronësinë përfituese nga agjencitë e zbatimit të ligj zbatuese.
Për më tepër, Shqipëria përmirësoi masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme. Autoriteti licencues (Ministria e Drejtësisë) për noterët tashmë ka kompetencën për të revokuar licencat kur konstatohet shkelje të kuadrit ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Shqipëria gjithashtu ka filluar zbatimin e mbikëqyrjes bazuar në risk për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.
Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjellë të miratuar nga MONEYVAL në vitin 2018.
Nga 40 rekomandimet e FATF, Shqipëria ka aktualisht:
6 rekomandime të vlerësuara “të përputhura”;
31 Rekomandime të vlerësuara gjerësisht të përputhura”;
2 rekomandime të vlerësuara “pjesërisht të përputhura” dhe
1 rekomandim të pa aplikueshëm.
Në lidhje me dy rekomandimet e mbetura “pjesërisht të përputhura” Shqipëria synon një përmbushje sa më të shpejtë dhe është duke punuar në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, si dhe me mbështetjen e ekspertizës të ofruar në kuadër të “Projektit kundër krimit ekonomik në Shqipëri” (AEC-AL), program i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Mbetet për t’u parë nëse këto përmirësime të konstatuara në raportin e këtij viti do të pasqyrohen me nxjerrjen e vendit nga lista gri, por duket se shanset janë të mëdha. Vendimi për këtë pritet të merret gjatë javës së ardhshme.