Raporti që propozon sanksione për politikanët që promovojnë bashkimin Kosovë-Shqipëri, vjen reagimi i DASH

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në “frymën e kompromisit të nevojshëm”, që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta kenë prioritetet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të punojnë në minimizimin e tensioneve dhe të ndjekin negociatat me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të nevojshëm për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse që do të mundësojë rrugën e tyre përkatëse evropiane”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Këtë përgjigje DASH-i e dha duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it për një raport të publikuar së fundmi nga Institutit për Politika të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins (SAIS) dhe Qendrës Wilson, që ia rekomandonte administratës amerikane vendosjen e sanksioneve për politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë që me deklaratat e tyre promovojnë bashkimin e të dyja shteteve.

“Ne e vlerësojmë këndvështrimin akademik dhe të organizatave për këto çështje. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një Kosovë sovrane, të pavarur, multiektnike, siç parashihet në Kushtetutën e saj”, tha zëdhënësi i DASH-it, duke mos e komentuar këtë raport.

Një nga kontribuuesit në raportin e titulluara “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”, Lulzim Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se e sheh si mundësi reale që SHBA-ja të sanksionojë politikanët që promovojnë “bashkimin” e Kosovës dhe Shpipërisë.

“Në një të ardhme të afërt, nëse aktorët kryesorë politikë nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre politike, unë mendoj që ky opsion është shumë real, sepse, praktikisht, një retorikë e tillë e pengon stabilizimin e Ballkanit, por edhe arritjen e zgjidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Peci.

Por, vendosja e sanksioneve për këtë çështje nuk duket si masë reale për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi.

Shtuar 22.01.2022 12:40