Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar duke falenderuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit, për një raport që sipas tij evidenton shkeljet e të drejtave të tij në qelinë e paraburgimit.
Meta deklaron se raporti konstaton “shkelje flagrante të të drejtave themelore njerëzore dhe politike”, duke e cilësuar paraburgimin si një instrument ndëshkimi dhe persekutimi ndaj tij nga kryeministri Edi Rama.
Të lidhura
None found
“Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze”, thuhet në reagimin e Ilir Metës.
Ai bën thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve të Avokati i Popullit dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në funksion të garantimit të të drejtave për çdo person të privuar nga liria.
Reagimi i Ilir Metës
Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.
Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.
Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqesor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.
Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.
Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria.
