Rreth 31.8% e popullsisë në Shqipëri, përjeton pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë gjatë periudhës 2023-2025, sipas vlerësimit të FAO-s.
Treguesi ka shënuar një përmirësim të lehtë, por mbetet dukshëm më i lartë krahasuar me Europën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, referon Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.
Të lidhura
None found
Brenda një viti, pasiguria ushqimore është reduktuar me 1.2 pikë përqindjeje. Megjithatë, niveli shqiptar është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, e cila është 5.8%.
Edhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka një situatë shumë më të rënduar. Për vitet 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë llogaritet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.
Nga e gjithë popullsia, 8.3% e shqiptarëve përfshihen në kategorinë e pasigurisë së rëndë ushqimore.
Kjo kategori nënkupton raste kur familjet nuk kanë ushqim, detyrohen të konsumojnë më pak nga sa u nevojitet, përballen me uri ose kalojnë një ditë të tërë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.
Ndërkohë, të dhënat për fëmijët tregojnë një prirje pozitive. Shkalla e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik zbriti nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Në të njëjtën periudhë, mbipesha te fëmijët ra nga 20.9% në 16.7%.
E kundërta është vërejtur te obeziteti i të rriturve. Në vitin 2024, 24.1% e personave mbi 18 vjeç ishin obezë, krahasuar me 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.
Përkeqësim ka pasur edhe te anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç, ku treguesi u rrit nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.
Dieta e përditshme e shqiptarëve kushton 70% më shumë se në vitin 2017 dhe 30% më shumë se mesatarja europiane.
Sipas të dhënave për vitin 2025, një person në Shqipëri duhet të shpenzojë minimalisht 5.16 dollarë ndërkombëtarë në ditë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për të siguruar një dietë të shëndetshme.
Kjo kosto ishte 3.04 dollarë në vitin 2017, çka do të thotë se deri në vitin e kaluar çmimi i një diete të tillë u rrit me rreth 70%, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.
Vlera në Shqipëri është rreth 30% më e lartë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore, e cila arrin në 4.62 dollarë.
Sipas metodologjisë së FAO-s, 5.16 dollarë përfaqësojnë koston minimale ditore për ushqyerjen e shëndetshme të një personi në Shqipëri.
Kjo shumë përcaktohet duke përzgjedhur ushqimet me çmimin më të ulët që ofrojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore, duke shërbyer si pragu minimal ekonomik për një dietë të ekuilibruar.
Megjithëse, dieta është shtrenjtuar, pjesa e popullsisë që nuk ka mundësi ta përballojë financiarisht atë është ulur ndjeshëm. Në vitin 2025, kjo përqindje ishte 11.9%.
