Një tragjedi e rëndë është shënuar në Conakry, kryeqytetin e Guinesë, ku shembja e një masivi mbetjesh nga landfilli ka përfshirë shtëpitë pranë zonës. Si pasojë, të paktën 30 persona kanë humbur jetën.
Të lidhura
None found
Mbi 20 të tjerë janë plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet mes tonelatave të mbetjeve. Dyshohet se nën masivin e shembur mund të ketë ende njerëz të bllokuar.
Shembja ndodhi pas reshjeve të dendura të shiut, të cilat mendohet se destabilizuan grumbullimin e mbetjeve. Autoritetet kanë vënë në lëvizje operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa trupat e viktimave janë transportuar në morg.
Ministrja e Administrimit Territorial të Guinesë, Djenabou Touré, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, deklaroi se bilanci zyrtar do të bëhet publik pas përfundimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Rreziku për një shembje ishte paralajmëruar më herët, por masat duket se nuk mjaftuan. Qeveria kishte urdhëruar evakuimin e banorëve dhe forcimin e sigurisë rreth landfillit, për shkak të frikës për shembje të tjera. Banorëve të zonës u ishin dërguar gjithashtu njoftime për të liruar shtëpitë.
Landfilli, i konsideruar ndër më të mëdhenjtë në qytet, ishte planifikuar të mbyllej të dielën. Pavarësisht kësaj, në momentin e katastrofës shumë banorë ende jetonin në zonën përreth.
