Ramush Haradinaj i jep notë kaluese marrëveshjes së Kurtit me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar për marrëveshjen e arritur sot në mes të Kosovës e Serbisë, e cila parasheh faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës. Kësaj marrëveshje, Haradinaj i dha notë pozitive, shkruan Express.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka thënë se sipas kësaj marrëveshje nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, “meqë ai është vendosur me Marrëveshjen e re të kyçjes KOST-ENTSO-E, ku ndërkombëtarisht njihen kufijtë energjetikë të Kosovës, në kufijtë shtetëror dhe operimi I pavarur i KOSTT-it nga EMS (Serbia), si zonë rregulluese brenda sistemit rregullator me OST (Shqipërinë). Operimi I KOSTT brenda Bllokut me Shqipërinë, siç e dini është vendosur me marrëveshjen e njohur edhe nga ENTSO-e, me 26.11.2019”.

Ai tha se pika e parë e “Roadmap” është nënshkruar nga ai, ndërsa shtoi se nëse zbatohet nga Serbia nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme

“Nëse pala serbe e zbaton këtë “roadmap”, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme. Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore”, ka shkruar Haradinaj. /GazetaExpress/


Shtuar 21.06.2022 15:27