Rama takim me kandidatët për deputetë në Elbasan: Mundësia për të hyrë në BE është reale, dritarja mund të mbyllet

Ditën e sotme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po zhvillon një takim me kandidatët për deputetë të qarkut Elbasan.

Objektivi kryesor është strategjia dhe porositë për fushatën elektorale të 11 majit, për zgjedhjet parlamentare.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij vendosi theksin tek integrimi i Shqipërisë në BE.

“Volumi i punëve të kryera është më i madhe ndonjëherë në gjithë këto 35 vite. Përtej faktit që ne do të kemi mesazhe të drejtpërdrejta për të gjithë grupet e interesit, për të gjitha moshat. Momenti më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve, është përtej të gjitha këtyre, sepse këto zgjedhje përkojnë me një moment të jashtëzakonshëm historik, ku për herë të parë mundësia e futjes në BE e Shqipërisë, është jo vetëm reale, por aktuale. S’ka qenë deri më sot aktuale, ka qenë reale. Është hpaur një dritare që nuk do të rri hapur për një kohë të gjatë“, tha Rama.

Rama thotë se Shqipërisë për herë të parë po i buzëqesh fati europian.

E para, Serbia ka nisur negociatat në vitin 2014, sot jemi 2025. Serbia është pas nesh. Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012. Sot e kemi arritur Malin e Zi dhe jemi krah për krah, plani është që ne dhe Mali i Zi të futemi në BE dhe BE të japë sinjal të qartë që po zgjerohet. Sot jemi me fatin europian që na buzëqesh për herë të parë. Për herë të parë kemi votim gjeopolitik dhe Maqedonia është bërë kandidate për t’u futur në BE në 2005, sot akoma s’i ka hap negociatat. Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe mund t’i mbyllim në 2027, që është një shpejtësi marramendëse.

Kreu i grupit politik për qarkun, Arbian Mazniku, ndër të tjera në fjalën e tij hapëse para përfaqësuesve të PS-së, prezantoi emrat, eksperiencën e kandidatëve, profesionet dhe madje tha se “mosha mesatare është 4 vite më e re edhe se ajo e Kombëtares Shqiptare”.

Mes kandidatëve që spikasin përveç Maznikut janë edhe ish-ministrja Evis Kushi, aktualisht deputete, Bora Muzhaqi dhe ish-anëtari i KPK-së së Vettingut, Olsi Komici.

Dy ditët e fundit, kreu i qeverisë ka vizituar edhe qarqet e Fierit dhe Beratit, ku inspektoi edhe disa kantiere punimesh dhe investime në ndërtim rrugësh dhe infrastrukture.


Shtuar 19.03.2025 09:34