Kundërshtimet ndaj planit për shkrirjen e bashkive kanë përfshirë edhe Memaliajn. Pas apelit drejtuar qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, kryebashkiaku Albert Malaj njoftoi se do ta mbështesë kauzën e tyre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Malaj, i vetmi kryebashkiak demokrat në jug të vendit, argumentoi se Memaliaj renditet si bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës si për nga popullsia, ashtu edhe për nga sipërfaqja, ndaj, sipas tij, nuk duhet të zhbëhet.
Të lidhura
None found
Ai kritikoi mënyrën se si po zhvillohet reforma e re territoriale, duke deklaruar se procesi nuk ka qenë transparent dhe se nuk janë organizuar dëgjesa publike me banorët e 53 fshatrave që përbëjnë bashkinë.
“Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi Malaj.
Sipas tij, vendimi për ta bashkuar Memaliajn me Bashkinë Tepelenë ka kapërcyer çdo kufi në raport me banorët. Kryebashkiaku iu drejtua gjithashtu me disa pyetje Komisionit për Reformën Territoriale, i cili e konsideron Bashkinë Memaliaj një barrë për buxhetin.
“Komisionit që e sheh Bashkinë e Memaliajt si barrë buxhetore dua t’i bëj një pyetje: për çfarë janë taksat e shqiptarëve? A janë për AKSHI-n, për tunelet që kushtojnë dhjetëra miliona euro më shumë se parashikimet, për koncerte luksi apo për pagesa charter?”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku i Memaliajt vlerësoi se vendime të tilla nuk i shërbejnë ndërtimit të së ardhmes së një komuniteti, por vetëm heqin nga harta atë që, sipas tij, nuk kanë ditur ta zhvillojnë.
