Kryeministri Edi Rama e cilësoi vizitën në Tiranë të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si një zhvillim që përkon me një fazë të rëndësishme të integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë konferencës së përbashkët, ai rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të përshpejtuar negociatat. Sipas Ramës, Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve përpara fundit të këtij viti dhe të vijojë vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Të lidhura
None found
Rama tha se është privilegj ta presë Von der Leyen në Shqipëri gjatë turit të saj tradicional në rajon. Ai u shpreh se nuk e di arsyen e saktë pse turi fillon gjithmonë nga Tirana, por dëshiron të besojë se kjo ndodh për shkak të shkronjës “A”. Kryeministri shtoi se vizita e presidentes dhe e delegacionit të saj sjell zhvillime pozitive për objektivat e përbashkëta.
Duke folur për Planin e Rritjes, Rama deklaroi se janë përmbushur disa objektiva ambiciozë. Ai e përshkroi këtë plan si një nga risitë e mandatit të dytë të Von der Leyen, që i ofron rajonit mbështetje financiare dhe mundësi për integrim gradual, pa pritur përfundimin e të gjithë procesit.
Kryeministri bëri të ditur se e ka informuar presidenten e Komisionit Europian për ecurinë e projektit të Zvërnecit, i cili ka ngjallur shumë interes. Për këtë projekt, tha ai, pritet së shpejti studimi i thelluar mjedisor.
Von der Leyen është njohur gjithashtu me hapat e ndërmarrë për transparencën dhe komunikimin me publikun përmes mjeteve të reja teknologjike. Rama njoftoi se në ditët e ardhshme do të vihet në funksion një pasqyrë ku do të publikohen të gjitha dokumentet dhe procesi i projektit të shumëdiskutuar të Zvërnecit.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që Rama e quajti një përparësi të pandryshueshme për Shqipërinë dhe BE-në, ai tha se situata ka ndryshuar: nëse më parë korrupsioni ishte sistemi, sot është sistemi ai që po e lufton korrupsionin. Në mbyllje, kryeministri falënderoi Ursula von der Leyen për praninë e saj në Tiranë.
